Rritja e pagave dhe pensioneve më e ulëta e dekadës
Rritja e rrogave ndaj buxhetorëve që do të aplikohet nga 1 korriku i këtij viti do të jetë më e ulëta e dekadës. Lajmin e bëjnë të ditur burimet brenda financave, të cilat shpjegojnë se rritja nuk do të jetë diku më shumë se ritmet e inflacionit, mesatarja e të cilit këtë vit llogaritet mesatarisht 4 për qind. Shifrat e rritjes së pagave sipas sektorëve ende nuk janë qartësuar, mirëpo rritje pak më shumë se inflacioni do të përfitojnë arsimi dhe shëndetësia 5-7 për qind. Ndërkohë që Ministria e Financave ka përfshirë në një reformë të gjithë strukturën e shpenzimeve buxhetore që do të reflektohet në rishikimin që është duke iu bërë buxhetit të këtij viti. Shpenzimet korrente do të jenë më shumë në fokus. Gjithashtu, sipas burimeve në Ministrinë e Financave në fokus do të jetë edhe rishikimi i punonjësve në administratë, me qëllim reduktimin e saj. Të gjitha këto fonde do të racionalizohen për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ndërkohë që ekspertët e ekonomisë këtë vit njëzëri shprehen për një rritje të moderuar pagash. Për rreth 5 vite me radhë, qeveria ia ka dalë të rrisë pagat dhe pensionet mbi ritmet 10 për qind, duke sjellë dyfishimin e tyre. Artan Gjergji, Drejtor i Forumit për Liri Ekonomike shprehet se qeveria këtë vit dhe në vitet në vazhdim duhet të aplikojë vetëm indeksimin e pagave me inflacionin, çka do të thotë se ato nuk duhet të rriten më shumë se 4 për qind. Ndërkohë burimet buxhetore të tanishme nuk mundësojnë rritjen e pagave me këto ritme. Për më tepër që këtë vit plani i të ardhurave shënon deficit. Fondi për rritjen e pagave në buxhetin e 2011-s është programuar të jetë 1.5 miliardë lekë, ndërsa fondi për rritjen e pensioneve 2.2 miliardë lekë. Projekti i Financave sqaron se do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke synuar një barazim të tyre në vitin 2013. Kështu, fondi kontingjencë për politika pensionesh pëson rritje, duke përbërë rreth 0.2% të PBB për periudhën 2010-2012, për të përballuar efektet e rritjes së parashikuar të pensioneve në fshat e qytet. Në vitin 2010 kjo politikë kushtoi 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që për vitin 2011 ajo parashikohet të kushtojë 1.5 miliardë lekë. Ndërsa, sipas planit paraprak të Ministrisë së Financave, rritja e pagave do të jetë në një mesatare rreth 4 për qind, me prioritet arsimin dhe shëndetësinë, ku rritja është planifikuar të jetë në nivelin 7-8 për qind. Parashikohet që të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke realizuar objektivin për përafrimin e skemës së pensioneve të qytetit me atë të fshatit. Pagat e buxhetorëve, duke nisur nga viti 2011 dhe gjatë tre viteve në vazhdim, do të kenë një rritje më të moderuar, çka do të thotë që buxhetorët nuk do të përfitojnë më rritje pagash 10 për qind. Politika e rritjes së pagave do të jetë më e moderuar gjatë viteve në vazhdim. Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e personelit për vitin 2011 janë bazuar në një politikë konstante në numrin e punonjësve buxhetorë për vitin 2010 e në vazhdim, si dhe në një politikë të kujdesshme të rritjes së pagave, parashikohen të jenë në nivelin 5.2% të PBB. Përllogaritja e tavaneve për paga dhe sigurime shoqërore në vitin 2011 është mbështetur në numrin organik të punonjësve të miratuar me VKM në fuqi. Ministria e Financave sqaron se fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 1 korrik 2011. Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe këtë vit dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. Gjithashtu, rezervat për rritjen e pagave të parashikuara në fondin e kontingjencës do të përgjysmohen. Kështu, nga 3 miliardë lekë të rezervuara në vitet e shkuara për rritjen e pagave, te zëri i kontingjencave në tre vitet në vazhdim deri më 2013 fondi do të jetë vetëm 1.5 miliardë lekë.