E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e kuotave: UT do të presë 6 mijë studentë të rinj

Plot 6 mijë studentë të rinj do t’u shtohen auditorëve të Universitetit të Tiranës gjatë vitit të ri akademik. Kjo shifër është më e lartë se një vit më parë, ndërkohë që prioritet këtë vit u është dhënë degëve si mësuesia apo atyre të shkencave të natyrës. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, sqaron kuotat e reja si dhe disa nga detajet e pranimeve. “Politikat e rritjes së pagave e kanë dhënë efektin e vet, që nxënësit e mirë kanë filluar të preferojnë degë të mësuesisë. Maturantëve që presin të vijnë në universitete mesazhi i parë pozitiv u vjen që në përgjithësi ka kuota të shtuara dhe Universiteti i Tiranës ka të tillë. 6 mijë janë në ciklin e parë. Kemi pastaj ciklin e dytë dhe ciklin e tretë, që realizohen në një fazë tjetër”, - thotë Kule. Por, krahas shtimit të kuotave për vitin e ri akademik, sipas rektorit Kule, Universitetit të Tiranës i nevojiten edhe pedagogë. Mbi 100 intelektualë i duhen stafit pedagogjik për ta mbajtur konstant raportin pedagog-student, por kjo kërkon dhe fond pagash më shumë i cili nuk përballohet dot me të ardhurat e universitetit. “Kemi nevojë për shtesë pedagogësh, por kjo shtesë është e lidhur me probleme buxhetore. Në momentin që ne do të kemi problemin e buxhetit të zgjidhur për mbulimin e fondit të pagave, fakultetet i kanë bërë kërkesat dhe këtu jemi në rakordim me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problem të shtimit të numrit, kombinuar me fond pagash”, - shton Kule. Aktualisht pranimet në universitete bëhen sipas sistemit Meritë-Preferencë, duke u mbështetur në rezultatet e Maturës Shtetërore, por edhe konkurseve të pranimit për disa degë të veçanta të fakulteteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›