Hyrje-daljet e qyteteve, si varreza makinash
Në shumë qytete të Shqipërisë, të mëdha e të vogla, hyrjet apo daljet e tyre u ngjasojnë disa fshatrave të rrëmujshëm, që përveçse kanë prerë gjithçka të gjelbër, kanë shtuar rrëzë rrugëve varrezat e makinave. Godina të ulëta, gjysmë të shkatërruara si relike lufte, ku tullat jo gjithmonë mbulojnë çdo zgavër, paraqesin biznese “hekurishtesh” si ofiçina, makina të vjetra që u shiten pjesët, tek-tuk ndonjë dyqan a pijetore prej duralumini. Po kështu edhe infrastruktura rrugore jo shpesh qëllon miqësore. Ka qytete ku mirëseardhjen e parë ta urojnë gropat në rrugë. Ndërsa drejtuesit e bashkive fshihen pas “tabelës”: nuk ka fonde, apo në rastin më të mirë punimet mbarojnë së shpejti.
FierInvestimet publike në këtë qytet janë ndërprerë. Edhe pse gjatë vitit 2009 u është dhënë jehonë mjaft projekteve, këtë vit bashkia nuk ka mundur të nisë asnjë prej tyre. Sipas krerëve vendorë, “kriza” për realizim projektesh u paralajmërua që në vitin 2009, atëherë kur qeveria u shpreh për uljen e investimeve, si dhe me një seri urdhrash kërkoi marrjen e disa prej të ardhurave të bashkisë. Investimi më i fundit që është kryer në territorin e qytetit të Fierit është rruga hyrëse në lagjen “Sheq i Madh”. Me këtë rrugë nis dhe përfundon investimi i fundit i kryer në territorin e qytetit të Fierit. Nga katër hyrjet dhe daljet e qytetit, vetëm në urën e Sheqit prej disa ditësh po kryhen disa punime, ritmet e të cilave tregojnë se zgjerimi i urës do të përfundojë pas shumë vitesh. Në vijim të urës së Sheqit edhe rruga hyrëse e qytetit është përballur me nismat për zgjerim, por akoma nuk shihet diçka konkrete. Buxheti i pamiratuar për këtë vit, si dhe debatet vënë në pikëpyetje shumë projekte, ndërkohë që rrezikohet që këtë vit bashkia të punojë vetëm me një të dymbëdhjetën e masës së buxhetit të vitit 2009. Kjo masë nuk premton as për fondin e pagave dhe shpenzimeve operative.
KukësJo vetëm hyrjet e daljet, por të gjitha rrugët e qytetit të Kukësit po shkojnë drejt degradimit të plotë dhe gjithnjë e më pak të ngjajnë me rrugë qytetëse. Mungesa e investimeve prej shumë kohësh, si dhe reshjet e pandërprera të shiut këto dy muajt e fundit kanë bërë që edhe rruga kryesore e qytetit që quhet “bulevard”, të shkatërrohet deri në taban, duke ngadalësuar lëvizjen e mjeteve. Kryetari i bashkisë, Hasan Halili, lidhur me rrugën kryesore tha se specialistët janë në fazën e fundit të hartimit të projektit dhe shumë shpejt mund të nisë nga zbatimi. Ai tregohet optimist për ndryshimin e gjendjes së infrastrukturës së shkatërruar, por zëra në bashki thonë se shkaku kryesor për gjendjen e mjerueshme të rrugëve është mungesa e fondeve. Vetë buxheti i dërguar nga Ministria e Financave për Kukësin ka qenë rreth ¼ më pak se një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga biznesi i vogël edhe pse të realizuara apo të tejkaluara, janë shumë modeste për nevojat e investimeve të tilla.
VlorëEdhe ky qytet bregdetar, që gjatë sezonit veror mbipopullohet nga turistët vendas e të huaj nuk i ka shpëtuar krizës për fonde. Shefi i kabinetit të kryebashkiakut të Vlorës, Arben Beqiraj, pohon se investimet për rrugën hyrëse të qytetit, mungojnë ndonëse ajo është shndërruar në një gangrenë për të gjithë vlonjatët. Ai thotë se ekziston vetëm projekti, i cili është mjaft i mirë, pasi rruga do të bëhet me dy kalime dhe do të jetë me parametra bashkëkohorë, por për të kryer investimin pritet që të lëvrohen fondet.
DurrësPër këtë vit në qytetin bregdetar parashikohen disa investime të rëndësishme në zonën në hyrje të Durrësit dhe disa nga sheshet kryesore të tij, ndërsa do të jetë Këshilli Bashkiak që do të shqyrtojë dhe vendosë për fatin e investimit që pritet të ndryshojë imazhin e qendrës së qytetit. Por, një tjetër investim që po kryhet në dalje të Durrësit është rruga e Shkozetit. Punimet e saj po ecin me ritme tejet të ngadalta dhe banorë e biznese po përgatiten të vijojnë protestën e tyre me bllokimin e rrugës.
#