Skandali me telefoninë celulare, AMC favorizohet nga AKEP në kurriz të konsumatorëve shqiptarë
Avokat Altin Goxhaj
Kompanitë celulare tashmë janë kthyer në bizneset më të pakontrollueshme në treg duke u kthyer në një gangrenë për konsumatorin shqiptar. Këto kompani ruajnë në mënyrën më të paskrupullt në treg hegjemoninë e tyre, duke pasur një akord për mos uljen e çmimeve në treg, si dhe duke ofruar shërbime mizerabël për konsumatorët shqiptarë.
Nëse vëmë re me vëmendje një nga kompanitë më problematike është kompania AMC, e cila prej vitesh nuk është prekur nga konkurrenca, duke ruajtur çmimet e saj në të njëjtat nivele me ato të shumë viteve më parë. Një nga faktet më sinjifikative të mungesës së konkurrencës në tregun e telefonisë celulare është ruajtja me fanatizëm e çmimeve të abonentëve me kontratë me kompaninë AMC. Mjafton të shikosh çmimin e mesazheve që kjo kompani vjel nga abonentët me kontratë, i cili është në të njëjtat nivele me të njëjtën kohë që kjo kompani është privatizuar nga padronët grekë. Këto kompani kanë qenë në gjendje të mbyllin gojën e institucioneve kontrolluese, të mediave deri dhe në parlamentin shqiptar duke paralizuar edhe shumë ligje të cilat merrnin në mbrojtje konsumatorin shqiptar. Siç rezulton nga letra e hapur e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve drejtuar zyrtarëve të AKEP për të ngrirë vendimin për miratimin e kontratave tip të AMC me konsumatorët, AMC po ia arrin që të sigurojë një kontratë tip e cila do të miratohet në mënyrë të njëanshme dhe në favor të kompanisë sepse zyrtarët e AKEP po shkelin ligjin. Pyetja është se pse zyrtarët e AKEP janë të gatshëm të shkelin ligjin për të favorizuar AMC? Çfarë arsyesh, çfarë interesash kanë ata që janë të gatshëm të shkelin edhe ligjin vetëm e vetëm që të favorizojnë AMC? Përse ata kanë frikë të dëgjojnë zërin e konsumatorëve dhe u mohojnë atyre të drejtën që të shprehen për këtë kontratë? Siç dihet AMC është një kompani shumë e fuqishme dhe ka arritur të blejë gati të gjithë median shqiptare dhe askush nuk guxon të denoncojë aferat e tyre çka dhe i ka dhënë besim drejtuesve të AKEP për të shkelur ligjin sepse kanë pasur bindjen se askush nuk do të reagonte. Siç dihet kontrata e deritanishme e AMC me konsumatorët ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve të vitit 2008 dhe ka favorizuar në mënyrë të njëanshme kompaninë në dëm të konsumatorëve dhe kjo për faj të AKEP që e ka lejuar këtë paligjshmëri. Por tashmë kërkesat e ligjit duhen respektuar dhe ky është një detyrim për të gjithë kompanitë që deri më tani kanë shfrytëzuar pasivitetin e zyrtarëve të shtetit dhe heshtjen e medias. Arsyeja pse mbledhja për miratimin e kontratës së re tip të AMC-së është përshpejtuar ka të bëjë pikërisht me faktin se AMC-së duket se nuk i intereson që AKEP të dëgjojë pretendimet e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të palëve të tjera pasi kur të merrej vendimi, AKEP do të ishte e detyruar që të modifikonte draft kontratën për të vendosur balancën e munguar midis konsumatorëve dhe kompanisë.
Ja ku e ka shkelur ligjin AKEP duke përjashtuar konsumatorët në vendimmarrjen pro AMC
Ligj Nr. 9918, dt.19.05.2008
Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë
Neni 10
Këshilli Publik
1. AKEP-i, në procesin e përgatitjes së dokumenteve rregullatore për tregun e komunikimeve elektronike dhe përpara marrjes së vendimeve, të cilat kanë një ndikim të ndjeshëm në tregun e komunikimeve elektronike, është i detyruar të marrë dhe të vlerësojë mendimin e palëve të interesuara nëpërmjet këshillimit publik.
2. Në procesin e këshillimit publik, AKEP-i publikon dokumentet rregullatore të propozuara dhe kërkon paraqitjen me shkrim të mendimit të palëve të interesuara, brenda një afati kohor të publikuar, i cili nuk duhet të jetë më pak se 30 ditë.
3. Në rast se AKEP-i e gjykon të nevojshme, kryen edhe seancën dëgjimore, ftohen palët e interesuara për të parashtruar mendimin për dokumentet rregullatore të propozuara.
4. Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni dhe para miratimit të dokumenteve rregullatore, AKEP-i duhet të publikojë mendimet dhe komentet e palëve të interesuara, duke respektuar konfidencialitetin e informacionit.
Ja Ligji që i ka bërë të pavlefshme kontratat aktuale të konsumatorëve me kompanitë e telefonisë që nga Maji 2008
LIGJ Nr.9902, datë 17.4.2008 PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE
PJESA V
Kushtet e padrejta të kontratave dhe përputhshmëria kontraktuale
KREU I
Kushtet e padrejta në kontratat me konsumatorët
Neni 27
Kushtet e padrejta
1. Kushti kontraktual, i cili nuk është negociuar veçmas, është i padrejtë në qoftë se shkakton pabarazi të ndjeshme dhe të dallueshme në të drejtat dhe detyrimet e palëve, që rrjedhin nga kontrata, në dëm të konsumatorëve.
2. Një kusht do të konsiderohet si i panegociuar veçmas, kur ai ka qenë hartuar më parë nga tregtari dhe, si pasojë, konsumatori nuk ka qenë në gjendje të ndikojë në përmbajtjen e kushtit, veçanërisht në tekstin e kontratës standarde, të formuluar më parë.
Në rast se disa aspekte të kushtit ose një kusht specifik kanë qenë të negociuara veçmas, nuk përjashtohet zbatimi i paragrafit të parë të pikës 2 te pjesa tjetër e kontratës, nëse një vlerësim i përgjithshëm i kontratës tregon se ajo është një kontratë standarde e formuluar më parë.
Kur tregtari pretendon se një kusht standard ka qenë i negociuar veçmas, barra e provës bie mbi të.
3. Padrejtësia e kushtit kontraktual do të vlerësohet duke mbajtur parasysh:
a) natyrën e mallrave dhe shërbimeve, për të cilat lidhet kontrata;
b) kohën e lidhjes së kontratës;
c) rrethanat shoqëruese të lidhjes së kontratës,
ç) kushte të tjera të kontratës ose kontratë tjetër, nga e cila është e varur.
4. Janë kushte të padrejta në kontrata të drejtat e tregtarit, kur:
a) përjashtojnë ose kufizojnë përgjegjësinë ligjore të shitësit ose furnizuesit, për shkak të vdekjes së konsumatorit ose dëmtimit personal të tij, si pasojë e një veprimi ose mangësie të tregtarit;
b) përjashtojnë ose kufizojnë në mënyrë të papërshtatshme të drejtat ligjore të konsumatorëve përballë tregtarit ose palës tjetër, në rast të një mospërmbushjeje, tërësore ose pjesore, apo përmbushjeje të pamjaftueshme nga tregtari të çdo detyrimi kontraktual, përfshirë të drejtën e zgjedhjes së kompensimit të borxhit ndaj tregtarit kundrejt çdo pretendimi, që konsumatori mund të ketë kundër tij;
c) e bëjnë një marrëveshje detyruese për konsumatorin, ndërsa furnizimi i shërbimit nga tregtari është subjekt i një kushti, realizimi i të cilit varet vetëm nga ai vetë;
ç) lejojnë tregtarin për të mbajtur shumën e paguar nga konsumatori, kur ky i fundit vendos për të mos e përfunduar ose përmbushur kontratën, pa parashikuar për konsumatorin marrjen e kompensimit të një shume ekuivalente nga tregtari, kur ky i fundit është pala që ndërpret kontratën;
d) i kërkojnë çdo konsumatori, i cili nuk arrin të përmbushë detyrimin e tij, të paguajë si kompensim një shumë të lartë joproporcionale;
dh) autorizojnë tregtarin të prishë kontratën, mbi bazë të lirë të të vepruari, kur një lehtësi e tillë nuk i është dhënë konsumatorit, ose lejon tregtarin të mbajë shumën e paguar për shërbimet ende të pafurnizuara nga ai, kur është vetë tregtari që prish kontratën;
e) i mundësojnë tregtarit ti japë fund kontratës për një kohëzgjatje të pacaktuar, pa njoftim të arsyeshëm, me përjashtim kur ka bazë të rëndësishme për ta bërë këtë;
ë) zgjasin automatikisht një kontratë, që ka një afat kohor të caktuar, kur konsumatori nuk është shprehur ndryshe, kur afati i fundit kohor, që i lihet konsumatorit për të shprehur dëshirën për moszgjatje të kontratës, është i pa