E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysen Pulaku, nënkampion i dyfishtë i Evropës

Peshëngritësi Hysen Pulaku

Shqipëria ka marrë edhe dy medalje të tjera në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Bukuresht, pasi Hysen Pulaku është shpallur nënkampion i dyfishtë i kontinentit për të rinjtë. Kjo e çon bilancin e kuqezinjve në këtë Europian të shtangës, në një medalje ari, dy argjendi dhe tri bronzi. Peshëngritja shqiptare vazhdon të mbajë lart flamurin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi të mërkurën Hysen Pulaku është shpallur fitues i dy medaljeve të argjendta, respektivisht në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh. Në peshën 77 kg, Pulaku e ka nisur mirë stilin e shkëputjes, duke ngritur me sukses 145 kg në provën e parë, si dhe 150 kg në atë të dytën. Ndonëse ka dështuar me 156 kg në të tretën, ku mbase mund të kishte provuar një peshë më të ulët, Pulaku ka marrë vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes, në të cilën e arta u fitua nga peshëngritësi rus Albert Sakaiov, me 151 kg, kurse e bronzta nga rumuni Konstantin Martin, me 148 kg të ngritura. Ndërsa në shtytje, shqiptari ka dështuar në provën e parë me 178 kg, por ka guxuar me 180 kg në atë të dytën, duke e ngritur me sukses këtë peshë që e mbante në pozicionin e medaljes. Por, lufta e ashpër në këtë stil e ka detyruar atë të provojë, fatkeqësisht pa sukses, 188 kg në provën e tretë. Kjo ka bërë që ai të renditet i 5-ti në stilin e shtytjes, por 330 kg e ngritura në total, i kanë dhënë atij vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë edhe në dygarësh. Kampioni i Europës në këtë peshë u shpall rusi Sakaiov, me 338 kg, kurse vendi i tretë u plotësua me spanjollin Andres Mata, i cili ngriti 330 kg. Pulaku merrte pjesë për herë të fundit në arenën ndërkombëtare në qershor të 2010-s, në Kampionatin Botëror të të Rinjve në Sofje të Bullgarisë, ku do të mjaftohej vetëm me 148 kg e shkëputjes. Dy medaljet e argjendta të Pulakut, krahas medaljes së artë të marrë në stilin e shkëputjes nga Daniel Godelli, dhe 3 medaljeve të bronzta të marra në konkurrimin e 23-vjeçarëve nga Briken Calja, e çuan në 6 numrin e medaljeve që Shqipëria mori në këtë Kampionat Europian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›