E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni takon ministrin e Jashtëm holandez Ferhagen

Fillimisht, ministri Hyseni e falënderoi homologun e tij holandez për mbështetjen e vazhdueshme që Holanda I ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat vendi ynë ka kaluar.

Më tej, ministri Hyseni e ka njohur ministrin e jashtëm holandez me zhvillimet dhe progresin që Kosova ka arritur, veçmas prej shpalljes së pavarësisë e këndej. “Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga 63 shtete”, potencoi ministry Hyseni duke shtuar se, “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Pavarësia ka ardhur pas shterrimit të të gjitha negociatave të mundshme, prandaj edhe kthimi në negociata do të ishte një tjetër konflikt dhe këtë nuk e do askush”.

Duke u ndalur te procesi i GJND-së, ministri Hyseni ndërsa e njoftoi homologun e tij holandez me përgatitjet që Kosova ka bërë për prezantimin e saj, nesër para GJND-së, shfaqi po ashtu, besimin e plotë të Kosovës në paanësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një temë tjetër në të cilën u fokusua ministri Hyseni gjatë takimit, ishte edhe bashkëpunimi rajonal, për çka ai potencoi marrëdhëniet e mira që Kosova ka ndërtuar me vendet fqinje.

Po ashtu, ministri Hyseni rikonfirmoi vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për ecjen kah integrimet evropiane. Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Mbretërisë së Holandës Maksim Ferhagen e siguroi ministrin Hyseni se, vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në perspektivën e saj evropiane. Po ashtu, ai foli për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, bashkëpunim ky që ka filluar me drejtësinë e që do të vazhdojë edhe me fusha të tjera të rëndësishme. Ndërkaq, ministri Ferhagen e siguroi ministrin Hyseni se, Holanda do ta mbështesë dhe përkrahë praninë e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›