E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX fillon hetimet pas deklarimeve të Nazim Bllacës

Zëdhënësja e EULEX –it Kristina Herodes tha se rasti ka hyrë në një fazë të rëndësishme të hetimeve, por nuk jep detaje për persona të përfshirë në hetime. Organet e rendit deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ndaj Nazim Bllacës, personit, i cili thotë se ka qenë pjesë e Shërbim Informativ në Kosovë.

Misioni i EULEX-it është deklaruar sot që është duke u hetuar ky rast duke mos dhënë detaje rreth hetimeve ndërsa prokuroria dhe policia e Kosovës janë deklaruar se i gjithë rasti Bllaca është në dorë të EULEX-it i cili e ka marrë përsipër këtë lëndë.

As personi emri i të cilit është lakuar më së shumti si urdhërdhënës në vrasje Azem Syla i cili një ditë më parë ka paralajmëruar padi ndaj akuzuesit Bllaca nuk ka dashur të flas.

Zëdhënësja e EULEX –it Kristina Herodes tha se rasti ka hyrë në një fazë të rëndësishme të hetimeve.

“Hetimet janë duke vazhduar. Rasti Bllaca është duke u hetuar nga prokuroria e EULEX-it. Rasti është në një fazë të rëndësishme të hetimit por nuk mund të jap detaje të tjera. Me rëndësi është që hetimet janë duke u zhvilluar intenzivisht në rastrin Bllaca. Nuk mund të jap më shumë të dhëna për hapat që do të merren më tej”, tha Herodes për Radio Kosovën.

Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut Osman Kryeziu, tha se në kushte normale është dashur që ky person të arrestohet, por prokuroria e Kosovës sipas tij nuk ka fare qasje në këtë dosje për të cilën ka dyshuar Nazim Bllaca të dielën.

“Këtë lëndë e ka EULEX dhe ata janë përgjegjës për këtë çështje. Në raste normale është dashur të arrestohet personi pas deklarimit të tillë. Por kjo tani varet nga EULEX dhe me siguri ata i kanë marrë masat e duhura edhe rreth sigurisë së tij”, tha Kryeziu për Radio Kosovën.

E gjitha që ka bërë deri më tani policia sipas zëdhënësit Baki Kelani është sigurimi i vendbanimeve të dy deputetëve Adem Salihaj dhe Gani Geci dhe ajo e Nazim Bllacës.

“Policia ka bërë sigurimin e tri vendbanimeve, atë të deputetit të LDD-së Gani Geci, Adem Salihaj si dhe vendbanimin e personit të quajtur Nazim Bllaca në Ribar të Madh. Këtë lëndë e ka prokuroria speciale e EULEX-it dhe ne nuk kemi urdhër për arrest. Sapo të kemi një urdhër të tillë ne jemi të gatshëm të asistojmë”, tha Kelani.

Personi, i cili thotë se ka qenë agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca tashmë ka bërë publike rrëfimit të tij si dëshmi duke pranuar të ketë bërë një vrasje, disa plagosje dhe kërcënime të personaliteteve të ndryshme politike me urdhër të njerëzve në piramidën e lartë të SHIK-ut. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›