Hysi: Hetimi materialeve zgjedhore, kërkesë që PS ka pasur që në fillim

Për hetimin
"Tashmë, krahas rezolutës së Parlamentit Evropian dhe qëndrimin që patën partnerët e Bashkimit Evropian, ai më së fundi sot del dhe gjen periudhën totalitsht të verës, për të thënë që unë jam dakord për hetimin e zgjedhjeve dhe për hetimin e materialeve zgjedhore. Kërkesa për hetimin e materialeve zgjedhore ka qenë një kërkesë që Partia Socialiste ka pasur që në fillim."
Për materialet
"Në rast se i referohemi Kodit Zgjedhor, materiale zgjedhore janë materialet, procesverbalet, vendimet që kanë marrë KZAZ-të dhe kështu me radhë, dhe fletët e votimit.
Pra, materialet zgjedhore janë në dy pjesë, në dy kuti. Ne duam të hetojmë mbi materialet zgjedhore, kjo është pjesa e kompromisit që ofroi PD, edhe darka e famshme e Krokodilit, edhe kështu me radhë."
Për fletët
"Komisioni Hetimor parlamentar do të bëjë një hetim parlamentar, nëse gjatë hetimit dalin probleme dhe që përbëjnë një bazë për procedim penal, hetimi parlamentar e referon çështjen në prokurori. Prokuroria nuk mund të bëjë hetim të çështjes në rast se nuk ka kutitë me procesverbalet dhe kutitë me fletëve të votimit, si në rastin e Ruzhdies."
Për djegien
"Zgjedhjen janë në pranverë. Për aq kohë sa kutitë nuk të duhen për momentin, s'ke pse i djeg fletët. Në rast se zgjedhjet janë në shtator kuptohet që fletët e votimit do t'i lirosh. Por, do të thosha që edhe sikur të ishin zgjedhjet vendore në shtator, përsëri për shkak të problemit që të ka ngritur opozita ti mund të blesh kuti të tjera, dhe këto nuk mund t'i djegësh."
Nënkryetarja e grupit Parlamentar Socialist komenton deklaratën e Kryeministrit Berisha për gatishmërinë e mazhorancës për të hetuar materialet zgjedhore sipas rezolutës së PE
Nënkryetarja e grupit Parlamentar Socialist, Vasilika Hysi, në një intervistë të dhënë dje për gazetën "Shekulli", sqaron se pse Berisha ka kuptuar domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve.
Deputetja socialiste sjell në vëmendje se kërkesa për hetimin e materialeve zgjedhore ka qenë një kërkesë që Partia Socialiste ka pasur që në fillim. Gjithashtu, ajo thekson se materialet zgjedhore janë në dy pjesë, në dy kuti.
Zyrtarja socialiste thotë se në rast se gjatë hetimit do të dalin parregullsi dhe çështja dërgohet në prokurori, atëherë ky institucion nuk mund të hetojë nëse nuk ka të dyja kutitë e materialeve. Ajo sqaron se cili është propozimi i PS dhe se si do të hetohen zgjedhjet e fundit parlamentare.
Zonja Hysi, në reagimin tuaj zyrtar ju u shprehët se më në fund Sali Berisha pranoi domosdoshmërinë e hapjes së kutive dhe hetimit të zgjedhjeve të 28 qershori.
Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës në deklaratën e tij, u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë për zbatimin e Rezolutës së PE, për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare përmes materialeve zgjedhore, por theksoi se fletët e votimit nuk janë të përfshira në to.
Çfarë do të thotë që Berisha kuptoi domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve?
Deri më sot qëndrimi i Berishës ka qenë që lidhur me hetimin ka pengesë, Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që, më pas ka pësuar një lëvizje duke kuptuar që ishte një blof, që po mund të bëhet hetimi por nuk pranonte asnjëherë hetimin e materialeve zgjedhore dhe të fletëve të votimit, por thoshte që të hetohen asetet, të hetohet përdorimi i të dënuarve dhe kështu më radhë.
Tashmë, krahas rezolutës së Parlamentit Evropian dhe qëndrimin që patën partnerët e Bashkimit Evropian, ai më së fundi sot del dhe gjen periudhën totalitsht të verës, për të thënë që unë jam dakord për hetimin e zgjedhjeve dhe për hetimin e materialeve zgjedhore. Kërkesa për hetimin e materialeve zgjedhore ka qenë një kërkesë që Partia Socialiste ka pasur që në fillim.
Domethënë, që në fillim kur po diskutohej për kompromisin ne thamë: Të fillojë ky komision hetimor parlamentar, të hetojë materialet zgjedhore dhe në rast se do të ketë nevojë që të hapen fletët e votimit, kutitë që kanë fletët e votimit, t'i drejtohemi Komisioni të Venecias.
Por, ajo që ne kërkuam sot është pikërisht që kësaj kërkese, nëse kërkesa e Berishës është e sinqertë, nuk ka kuptim që ky Komision Hetimor me nisjen e punës, dhe nëse është i sinqertë, të djegë fletët e votimit. Ideja është që të fillojë Komisioni Hetimor parlamentar, të fillojë hetimi i materialeve zgjedhore, por pa djegur fletët e votimit.
Por, Berisha në daljen e tij për mediat tha se për fletët e votimi flitet qartë në rezolutën e Parlamentit Europian, dhe për hetimin e materialeve zgjedhore nuk kuptohet fletë votimit. Partia Socialiste i konsideron kutitë e fletëve të votimit pjesë të materialeve zgjedhore?
Në rast se i referohemi Kodit Zgjedhor, materiale zgjedhore janë materialet, procesverbalet, vendimet që kanë marrë KZAZ-të dhe kështu me radhë, dhe fletët e votimit. Pra materialet zgjedhore janë në dy pjesë, në dy kuti. Ideja është që ne duam të hetojmë mbi materialet zgjedhore, kjo është pjesa e kompromisit që ofroi Partia Socialiste, edhe darka e famshme e Krokodilit, edhe kështu me radhë.
Prandaj, ne kemi kërkuar që kutitë e fletëve të votimit të mos prekën, të qëndrojnë. Në rast se do të lind nevoja për ndonjë verifikim, atëherë le t'i drejtohemi Komisioni të Venecias.
Kjo është totalisht në përputhje edhe të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe pjesë e kompromisit, pavarësisht se mua më duket jo e drejtë, përsëri ne themi: Ok, fletët e votimit lëri mënjanë dhe në rast se do të lind nevoja do t'i drejtohemi komisionit.
Kjo do të thotë që, pa pasur një garanci Partia Socialiste se fletët e votimit nuk do të digjen nuk mund të ketë një fillim të punës së Komisionit Hetimor...?!
Në rast se digjen fletët e votimit nuk ka më kuptim Komisioni Hetimor parlamentar. Një argument që dua të sjell për të sqaruar opinionin publik është kjo: Komisioni Hetimor parlamentar do të bëjë një hetim parlamentar, nëse gjatë hetimit dalin probleme dhe që përbëjnë një bazë për procedim penal, hetimi parlamentar e referon çështjen në prokurori.
Prokuroria nuk mund të bëjë hetim të çështjes në rast se nuk ka kutitë me procesverbalet dhe kutitë me fletëve të votimit, si në rastin e Ruzhdies. Prandaj Komisioni Hetimor parlamentar bën një tolerim, dhe i lë fletët e votimit mënjanë deri sa të shprehet Komisioni i Venecias.
Por, juridikisht është super e qartë, nuk ka nevojë, ato janë materiale zgjedhore, madje edhe ju si gazetar mund të shkoni të kërkoni, të bëni fotokopje, t'i merrni dhe t'i shikoni, në bazë të ligjit për informimin. Por, të djegësh fletët e votimit sot kur ti kërkon të ngresh një Komision Hetimor parlamentar është absurde.
Përse të djegësh fletët e votimit kur kërkohet të ngrihet një Komision Hetimor parlamentar është absurde?
Sepse ti ke një ankim. Kodi Zgjedhor, neni 178 thotë se materialet zgjedhore, fletët e votimit digjen kur nuk ka ankime. A ka ankim më të madh se të bën partia më e madhe e opozitës dhe të gjithë partitë e tjera të vogla, të majta dhe të djathta...?!
Në muajin shtator pritet të bëhet edhe dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Po në rast se pas caktimit të datës, KQZ do të kërkojë lirimin e kutive të votimit, duke djegur fletët e votimit, çfarë do të ndodhë më pas?
Kjo gjëja është gjëja e fundit. Pse? Sepse procesi i djegies së fletëve të votimit bëhet meqë fletët e votimit janë shumë, janë miliona.
Kjo bëhet sepse nuk rezervohen dot në arkivin e shtetit dhe në bazë të rregullave të arkivimit, në Kodin Zgjedhor, mbahen në arkivin e shtetit të gjitha materialet e tjera zgjedhore, përvç fletëve të votimit, sepse do të përdoren kutitë e votimit. Zgjedhjen janë në pranverë. Për aq kohë sa kutitë nuk të duhen për momentin, s'ke pse i djeg fletët.
Në rast se zgjedhjet janë në shtator kuptohet që fletët e votimit do t'i lirosh. Por, do të thosha që edhe sikur të ishin zgjedhjet vendore në shtator, përsëri për shkak të problemit që të ka ngritur opozita ti mund të blesh kuti të tjera, dhe këto nuk mund t'i djegësh. Sepse djegia e fletëve të votimit bëhet për të liruar kutitë.
A mund të dalë problematika e zgjedhjeve të fundit parlamentare vetëm me materialet zgjedhore, pa fletët e votimit, meqenëse Partia Socialiste kërkon që fletët të lihen mënjanë dhe të mos digjen?
Unë mendoj që një pjesë e problematikës del. Por, nuk dalin të gjitha problemet. Ajo që është më e rëndësishme është problemi që unë ngrita sepse komisioni hetimor parlamentar ka për detyrë të evidentojë parregullsitë dhe të nxjerrë përgjegjësinë. Në rast se vëren që përgjegjësitë janë të tilla sa përbëjnë rast për një akuzë penale, i dërgohen prokurorisë.
Në një rast të tillë, kur ty të duhen të verifikosh akuza që mund të jenë penale, si mund t'i djegësh kutitë e votimit?
Pra, qëllimi i mbajtjes së fletëve të votimit është për ta çuar hetimin deri në fund. Sepse edhe me materialet zgjedhore, ti nxjerr një sërë gjërash, por kur vjen puna për të përcaktuar përgjegjësitë ty të duhen fletët e votimit, prokuroria do të punojë me fletët e votimit, që t'i krahasoji me materialin tjetër të materialit zgjedhor.