E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: "Ok" hetimit të materialeve

Kryeministri shprehu dje gatishmërinë për të lejuar transparencën dhe është dakord për hetimin e materialeve zgjedhore


"Rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit"


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shprehu dje gatishmërinë për hetimin e materialeve zgjedhore, por pa fletët e votimit. Duke u bazuar në rezolutën e Parlamentit Europian, kreu i mazhorancës deklaroi gjatë një prononcimi për mediat, se mbetet për zbatimin e saj germë për germë dhe në frymën e saj totale.


Pas shumë kohë debatesh publike dhe përpjekjesh për të gjetur një zgjidhje midis dy forcave politike, Berisha shpreh gatishmërinë për hetimin e zgjedhjeve dhe jep "ok" për hetimin e materialeve zgjedhore.


Sipas tij, rezoluta e PE përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe i qëndron plotësisht asaj, i qëndron plotësisht ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ai tha se Shqipëria bëhet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e saj dhe duke i përmirësuar ato, jo duke i shkelur.


"Mendoj se rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit dhe nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini, ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë, por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën", shprehu qëndrimin e mazhorancës, Sali Berisha.


Gjatë komunikimit të tij me mediat të mbajtur në Himarë, kreu i Qeverisë komentoi dhe situatën e re politike që do të paraqitet në vjeshtën e këtij viti, ku do të merren vendime të rëndësishme përsa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Mbi këtë çështje, lideri i ekzekutivit shprehu mendimin se vjeshta do të jetë një nga vjeshtat më të bardha, më të bukura në historinë e shqiptarëve. Sipas tij, shqiptarët do të gëzojnë vendimin e Bashkimit Europian për të lëvizur të lirë në mbarë Europën.


Ai theksoi gjithashtu se kjo përbën një arritje të pritur, ndofta mbi 150 vjet. "Këtë, qytetarët e këtij vendi e kanë pritur prej kohësh. Këtë vjeshtë, ky problem merr përgjigjen më të shkëlqyer dhe unë gjykoj se nuk ka arritje më të madhe në rrafshin e lirisë, pas përmbysjes së diktaturës, sesa kjo.


Liria e lëvizjes së shqiptarëve nuk kufizohet më vetëm në territorin e këtij vendi, por ridimensionohet në të gjithë territorin europian. Kjo do të jetë vjeshta për shqiptarët", -vijoi më tej Berisha.


Një tjetër çështje në të cilën u fokusua kryetari i mazhorancës ishte dhe problemi i tokës, për të cilat tha se "një nga arritjet më të mëdha të qeverisë së tij në zonën e bregdetit është se gradualisht po e shpëton atë nga kthetrat e mafias". Sipas tij, kryetari i bashkisë së Himarës, bashkisë së Orikumit, Ksamilit, Sarandës, kryetari i komunës së Lukovës, janë këta që do të bëjnë planet rregulluese, në përputhje me masterplanin e mrekullueshëm.


Padiskutim, theksoi ai, ka një problematikë toke, për të cilën qeveria vendore ka bërë propozimet e veta dhe që ka të bëjë edhe me çështje të lidhura me ligjin, por të lidhura edhe me Kodin Civil. "Pra, problematika këtu është më komplekse për shumë faktorë, por një gjë është e sigurt se ne po përpiqemi dhe do përpiqemi ta zgjidhim dhe ekzekutivi është mundësi për të zgjidhur, në përputhje me ligjet. Problemet qëndrojnë, por edhe qeveria qëndron për zgjidhjen e tyre", -sqaroi Sali Berisha.

Kryeministri flet për ligjin organik për presidencën

"Qeveria, s'ka ndërmend të marrë nismë për ligjin organik"


Lideri i mazhorancës shprehu dje mendimin se ligji themelor i vendit ka të përcaktuara të gjitha kompetencat, të drejtat e Presidentit të Republikës dhe i ka shumë mirë të përcaktuara. "A mund të ketë ligj për presidencën?


Shumica e vendeve e kanë. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore, se të gjitha detyrimet e tjera ligjore", deklaroi Berisha, i pyetur mbi propozimin e PS për hartimin e një ligji organik për Kuvendin.


Pra, vijoi ai, në qoftë se parlamenti funksion mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, Presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Kryeministri tha se zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për presidencën e vendit.


"Unë, natyrisht, ndjek me interes iniciativat e deputetëve. Qeveria vetë nuk ka ndërmend të marrë ndonjë nismë që të bëjë ligjin për presidencën. Kemi axhenda të tjera. Deputetë, po të duan, mund ta bëjnë",- deklaroi Berisha.


***


Selia rozë reagon pas deklaratës së Kryeministrit për hetimin e materialeve

PS: Berisha pranoi domosdoshmërinë e hapjes së kutive

Pas deklaratës së Kryeministrit, i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste, e cila theksoi se më në fund Berisha pranoi domosdoshmërinë e zgjedhjeve.


Në një prononcim për mediat, nënkryetarja e grupit Parlamentar Socialist, Vasilika Hysi, deklaroi se pas një viti Kryeministri kuptoi rëndësinë dhe legjitimitetin e kërkesës së tyre. "Më në fund Sali Berisha pranoi domosdoshmërinë e hapjes së kutive dhe hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila ka rënë në vesh të shurdhër.


Sigurisht, që u desh plot një vit që kryeministri të kuptonte rëndësinë dhe legjitimitetin e kërkesës së opozitës, kërkesë e cila muaj pas muaji gjeti gjithmonë e më shumë mbështetjen e partnerëve dhe faktorit ndërkombëtar. Por, më mirë vonë se kurrë",- reagoi Hysi.


Sipas saj, në këtë moment është tejet e rëndësishme që jo vetëm të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 2009, por që Sali Berisha, pas pranimit të kërkesës për hapjen e kutive, të heqë dorë nga ideja qesharake për të djegur fletët e votimit.


Prej kohësh Partia Socialiste ka kërkuar hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.


Për shkak të mos gjetjes së zgjidhjes nga politika shqiptare, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku i kërkon partive politike të nisin transparencën e zgjedhjeve të fundit parlamentare përmes hetimit të materialeve zgjedhore. Për këtë arsye, dy palët u angazhuan përmes dy krerëve të grupeve respektive për të diskutuar mbi zbatimin e rezolutës së PE.


Pas dy negociatash zyrtare, vetëm pak kohë më parë sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi se "gjatë këtyre ditëve zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete, se cilat janë ato dhe sesi do reagojë kreu i grupit të PD-së, nuk më takon mua t'i them dhe kërkojnë konfidencialidetin e nevojshëm".


Pas kësaj deklarate u mësua se propozimi i PS ishte që të fillohej për hetimin e zgjedhjeve dhe fletët e votimit të mos prekeshin. Nëse deklarata e Kryeministrit është reagimi zyrtar për propozimin e PS, atëherë palët mund të arrijnë një marrëveshje në fillim të muajit shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›