Nica: Apolonia ka shanset e veta në Peqin
Apolonia dhe Shkumbini do të luajnë një nga ndeshjet e javës së dytë të kampionatit. Në transfertën e Peqinit, fierakët do të luajnë për të marrë një rezultat të pranueshëm. Bardhejeshilët kanë qenë të motivuar gjatë gjithë javës dhe janë stërvitur me shumë përgjegjshmëri për këtë takim. Trajneri i Apolonisë, Stavri Nica, ka këmbëngulur gjatë gjithë javës së pari për ta mbajtur skuadrën larg euforisë dhe ka kërkuar nga lojtarët që ta harrojnë Dinamon, duke i përqendruar vetëm te ndeshja me Shkumbinin. Nuk ka lidhje fitorja e Dinamos me ndeshjen e Peqinit.
Pa dyshim që me blutë kemi bërë detyrën, ndërsa me Shkumbinin është një takim shumë i vështirë. Në përgjithësi, transfertat kanë vështirësi nga më të ndryshmet, nisur dhe nga trysnia që të krijon faktori fushë dhe sportdashësit që përkrahin ekipin e tyre. Unë e kam theksuar se Shkumbini ka një skuadër që duhet respektuar, ka krijuar tanimë një traditë të mirë në futbollin shqiptar dhe është një skuadër që vitet e fundit ka dhe historikun pozitiv në superligë.
Ne kemi punuar me seriozitet dhe kemi qenë natyrisht të obliguar që skuadra të jetë e përqendruar në fushë, të luajë me kujdes sidomos në repartin e prapavijës, por kjo nuk do të thotë se do të shkojmë në Peqin për të luajtur të tërhequr. Duke shfrytëzuar karakteristikat që ka mesfusha dhe sulmi ynë, pa dyshim që edhe ne do të kërkojmë të ndërtojmë aksionet e duhura drejt portës peqinase. Nëse i realizon të gjitha detyrat e ngarkuara, Apolonia i ka të gjitha mundësitë që të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë e vështirë, – është shprehur midis të tjerave trajneri i Apolonisë, Stavri Nica.
