Hysi në formë
Hysi po kalon nëpër një formë mjaft të mirë. Skuadra llapjane ka rreshtuar tri fitore në tri ndeshjet e fundit, ndaj Llamkos Kosovës, Prishtinës dhe së fundmi ndaj Vëllaznimit, duke u ngritur në pozitën e katërt të tabelës, në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.
Trajneri Hysni Maxhuni e nisi sezonin me një ekip komplet të ri dhe të papërvojë, por puna e tij me këta djelmosha me perspektivë, ka nisur të sjellë frytet e para.
“Mund të them se, edhe kur na mungonin rezultatet, luanim shumë mirë, por na mungonte fati. Sigurisht se tash lojtarët kanë fituar vetëbesim, sidomos pas fitores ndaj Prishtinës. Ata e kanë kuptuar se, edhe pse pa përvojë, mund të ballafaqohen me çdo ekip. Ata po e japin një kontribut që e kam pritur që nga fillimi”, deklaroi trajneri i njohur kosovar.
Ai kërkon nga lojtarët që ta ruajnë këtë ritëm, pasi që nuk kanë arritur asgjë deri tash, përkundër rezultateve të mira që i arritën. “Në ndeshjet e ardhshme, nuk duhet të flemë. Nuk kemi kryer asnjë punë, çdo lojë është e rëndësishme”, vazhdoi Maxhuni.
Sidoqoftë, ai insiston se ky është vetëm fillimi dhe se nuk ka dallim të madh të pikëve në mes të klubeve. Fillimin e sezonit e konsideron si më interesant në krahasim me sezonet e kaluara. Ai është i bindur se Hysi, i prirë nga kapiteni Mentor Zhdrella, mund të luajë edhe më mirë në vazhdim të sezonit.
“Do të mundohemi të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, por problemi është se po luajmë shumë shpesh, ndodh nga tri herë në javë, që është shumë për këta djelmosha. Ka material në ekipin tonë, dëshira ekziston dhe pas 2-3 muajsh, me punë dhe lojë kolektive, do të ngrihemi edhe më lart”, përfundoi Maxhuni.
Pas nëntë xhirosh të zhvilluara, Hysi gjendet në pozitën e katërt në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, duke përfshirë këtu 4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.