E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e respektojnë FIFA-n

Federata e Futbollit e Kosovës, të paktën përkohësisht, ka vendosur ta ndërpresë respektimin që kishte nisur t’ua bëjë datave të lira të FIFA-s. Kështu, gjatë kësaj fundjave, kur shtetet e tjera do të jenë të përqendruara në kualifikimet për Kampionatin botëror 2014, në të njëjtën ditë në Kosovë do të luhen ndeshjet e Superligës. Krerët e FFK-së thonë se një gjë të tillë u detyruan ta bëjnë me qëllim që mos t’i zërë bora.

Edhe pse përfaqësuesja e Kosovës nuk është pjesëmarrëse e kualifikimeve për kampionate botërore e evropiane, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) qysh më moti pati filluar t’i respektojë datat e rezervuara nga FIFA për ndeshjet e kombëtareve të shteteve të tjera.

Kështu, kur kombëtaret e huaja luanin ndeshje miqësore apo kualifikuese, sikurse në të gjitha vendet e tjera, as në Kosovë gjatë atyre ditëve nuk zhvilloheshin ndeshjet kampionale, ndonëse ato data nuk ‘vlenin’ për përfaqësuesen e ‘izoluar’ të Kosovës.

Ndeshjet e Superligës nuk u zhvilluan as gjatë atyre ditëve të shtatorit, kur kombëtaret e shteteve të tjera i zhvilluan dy xhirot e para të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin botëror 2014.

Megjithatë, shtëpia e futbollit kosovar nuk po i respekton në përpikëri datat e lira të FIFA-s. Kjo pasi në këtë fundjavë, do të zhvillohet xhiroja e tretë e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin botëror, me ç’rast skuadrat elitare të vendeve të tjera do të pushojnë, por jo edhe ato të Superligës së Kosovës.

Kjo pasi FFK-ja tashmë i ka bërë të ditura terminet, konform të cilave, gjatë vikendit do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës.

Por, pse FFK-ja vendosi ta lërë në gjysmë respektimin që kishte nisur t’ua bëjë datave të lira të FIFA-s? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur sekretari i shtëpisë së futbollit në vendin tonë, Eroll Salihu.

“Po, ne patëm nisur t’i respektojmë ato data, e sigurisht se do t’i respektojmë edhe në të ardhmen, por kësaj radhe kemi vendosur ta zhvillojmë xhiron e radhës të kampionatit, me kërkesë të klubeve, me qëllim që mos të na zërë dimri, kur dihet se gjendja e infrastrukturës në vendin tonë është shumë e rëndë”, tha Salihu për Express.

Duhet theksuar se selektori i reprezentacionit kosovar, Albert Bunjaku ishte ithtar i asaj që datat e lira të FIFA-s të respektohen edhe në vendin tonë. Edhe pse për përfaqësuesen e Kosovës ato data nuk kanë ndonjë rëndësi, për shkak se vendi ynë ende nuk njihet nga UEFA e FIFA.

Bunjaku pati filluar që të organizojë kampe me reprezentues kosovarë në Prishtinë, por një gjë të tillë tashmë është bërë goxha moti që nuk e ka bërë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›