Hysi, përgatitet për titull e kupë

Nënkampioni vjeshtor i Kosovës në futboll dhe konkurrenti shumë serioz për titull të kampionit, Hysi, pas pushimit nga festat e fundvitit, të martën i ka filluar përgatitjet për stinorin pranveror.
Përveç anëtarëve të Shtabit Teknik, në tubimin e parë morën pjesë edhe të gjithë futbollistët e këtij klubi, në mesin e të cilëve ishin edhe Yll Hoxha, Drilon Dragusha dhe Fisnik Papuqi, të cilët kaluan në radhët e këtij klubi gjatë pushimit dimëror.
Ekipi i Hysit, fazën e parë përgatitore do ta zhvillojë në Merdar, derisa më 3 shkurt skuadra do të udhëtojë drejt Maqedonisë, ku në Gjevgjeli do ta zhvillojë fazën e dytë përgatitore për rreth dhjetë ditë.
Futbollistët me duartrokitje e pritën kryetrajnerin e tyre, Hysni Maxhuni, i cili u rikthye te Hysi, pas një aventure të shkurtër që pati te Trepça në Mitrovicë, gjatë vjeshtës.
“Më vjen mirë që jam sërish në mesin tuaj dhe ju keni qenë ata që më keni shtyrë më së shumti të kthehem këtu”, u tha Maxhuni futbollistëve të tij, të cilëve ua tërhoqi vërejtjen që mos të mungojnë në seancat stërvitore.
Ndërkohë, Maxhuni i njoftoi futbollistët edhe me planprogramin e tij, në bazë të të cilit do të punojë.
“Deri të dielën do të bëjmë vrapime të lehta. Ndërsa, javën e ardhshme do të punojmë dy herë në ditë. Në mbrëmje do të ushtrojmë fitnes. Qëllimi është që gjatë punës, intensiteti të mbahet në atë nivel të cilin ne e dëshirojmë. Jam i bindur se ju mund të jepni ende më shumë nga vetja e juaj, sesa që keni dhënë deri më tash. Klubi ka ambicie, andaj bashkërisht duhet t’i arrijmë synimet”, theksoi ai.
“Të gjithë jeni lojtarë kualitativë. Do të ketë një konkurrencë shumë reale në mesin tuaj, por, asnjëri nga ju nuk do të mbetet jashtë punës”, u tha Maxhuni djelmoshave të tij.
Ai u tha lojtarëve të tij se që nga ndeshja e parë duhet të fillohet me sukses, për t’i përsëritur sukseset pastaj deri në fund.
Po ashtu, Maxhuni i porositi lojtarët që ta respektojnë në maksimum rregulloren e re të klubit, që ka të bëjë rreth mbizotërimit të disiplinës në skuadër.
Ndërsa, edhe drejtori sportiv i Hysit, Arbnor Morina, u tha futbollistëve se duhet ta japin maksimumin nga vetja e tyre për t’i arritur synimet e klubit – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
“Prej këtij momenti fillon përgatitja për një operacion i cili është shumë i rëndësishëm për ne, e ajo është që ta çojmë klubin deri në xhiron e fundit si kampion, por edhe deri në finale të Kupës së Kosovës. I kemi hyrë kësaj rruge dhe do ta çojmë deri në fund. Nuk është rrugë e lehtë, por as e vështirë nuk do të jetë, nëse ju iu përmbaheni rregullave, parimeve dhe kërkesave të Shtabit Teknik”, pohoi Morina.
Ndërsa, shefi i Shtabit Teknik, Hysni Maxhuni, tha se ende është herët të parashihet se cila skuadër tjetër kosovare do të jetë konkurrente e Hysit në luftë për titullin e kampionit të Kosovës.
“Pozicionet në tabelë do të varen nga katër-pesë xhirot e para. Kështu që, ende është herët të flitet se kush është konkurrent i yni kryesor për titull. Nevojitet edhe ndihma e fatit. Por, ne nuk do të shikojmë se kë e kemi konkurrent, por do ta shikojmë punën tonë”, deklaroi Maxhuni para gazetarëve, i cili potencoi se skuadra e tij aktualisht nuk ka nevojë për përforcime të tjera.
Maxhuni, i pakënaqur me tretmanin e trajnerëve
Largimet e shpeshta të trajnerëve nga klubet kosovare, tashmë janë bërë një ‘sëmundje e pashërueshme’ në futbollin kosovar. Hysni Maxhuni për të tretën herë është rikthyer në bankinën e Hysit, por nuk e di se deri kur do ta kryejë këtë detyrë.
Ai shprehu pakënaqësinë e tij me faktin se në futbollin kosovar nuk ka stabilitet të marrëdhënieve ndërmjet klubeve dhe trajnerëve.
Sipas tij, vetëm suksesi i arritur mund ta mbajë më gjatë një trajner në detyrë. Në të kundërtën, trajnerin e pret shkarkimi.
“Në Kosovë nuk ka stabilitet. Me situatën me të cilën po ballafaqohemi, vetëm suksesi i arritur ndoshta do të mund ta mbajë më gjatë në detyrë. Nuk varet nga trajnerët, por prej rezultateve, prej futbollistëve. Kontratat nuk kanë vlerë, sepse nuk jemi të pranuar ndërkombëtarisht, që të mund të të mbrojë dikush”, përfundoi Maxhuni.