E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendos këtë javë

Bekim Kastrati është në kërkim të ekipit të ri, pasi që duket se eksperienca e tij tek Dynamo Dresden, ka marrë fund. Trajneri i ri i klubit nga liga e tretë gjermane, Matthias Maucksch, ka bërë të ditur se nuk llogarit në shërbimet e sulmuesit kosovar, kështu që ish-përfaqësuesi shqiptar duhet medoemos ta gjejë ekipin e ri, ku do të luante në pjesën pranverore të sezonit. 25-vjeçari ka thënë se gjatë kësaj jave do të dihet më detajisht për të ardhmen e tij.

“Besoj se ekipi im i ri do të dihet gjatë kësaj jave, edhe pse ka kohë deri më 31 janar. Unë nuk kam luajtur shumë dhe nuk kam shënuar gola në vjeshtë, kështu që nuk do të jetë edhe bash e lehtë për ta gjetur ekipin e ri. Sidoqoftë, me këtë punë do të merret menaxheri im dhe bashkë do të vendosim për të ardhmen time. Ka klube të interesuara”, theksoi Kastrati për Express.

Futbollisti kosovar ka kontratë me Dynamon deri në qershor të vitit të ardhshëm, kështu që, nëse nuk gjen angazhim tjetërkund, ka mundësi që të mbetet aty ku është.

“Nëse arrij marrëveshje me ndonjë klub tjetër, këtë javë do ta shkëput kontratën me Dynamon. Në të kundërtën, unë do të qëndroja këtu dhe do ta respektoja kontratën, e cila është valide deri verën e ardhshme”, vazhdoi Kastrati.

Trajneri i ri, Maucksch, ka thënë se disa pozita janë të stërngarkuara me futbollistë, kështu që në listën e të larguarve, ish-futbollisti i Wegberg-Beeck, Borussia Freialdenhoven, Borussia Mönchengladbach, Eintracht Braunschweig e Fortuna Düsseldorf, Bekim Kastrati, duket të jetë i pari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›