Loew kërkon edhe fitoren e dhjetë

Selektori i Gjermanisë, Joachim Loew ka kërkuar nga skuadra e tij të vazhdojë me paraqitje të shkëlqyeshme edhe kundër Belgjikës të martën në kërkim të fitores së dhjetë nga po aq ndeshje të fushatës kualifikuese për Euro 2012.
Loew, të premten arriti fitoren e tij të 50-të si selektor i Gjermanisë duke mposhtur Turqinë 3-1 në Stamboll në atë që ishte fitorja e nëntë e njëpasnjëshme për ta. Holanda dhe Spanja janë dy skuadrat tjera me rekord perfekt në fushatat e tyre kualifikuese për Euro 2012.
Ndërsa, Loew kërkon fitore edhe për takimin e fundit kundër Belgjikës në Duesseldorf të martën. “Të martën kundër Belgjikës nuk do të ndryshojë shumë futbollistë, bëhet fjalë për një ndeshje shumë serioze. Duhet të fitojmë edhe atë ndeshje” tha Loew për mediet gjermane.