E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Hannoverit

18-vjeçari me prejardhje nga Kosova, Egcon Musliji ka përpara një të ardhme të ndritshme. Trajnerët e 18-vjeçarit besojnë ai do të arrijë shumë në karrierë. Futbollisti i ri shqiptar aktualisht është kapiten i ekipit U-18 të Hannoverit, por kualiteti që e posedon mund ta shpie shumë shpejt në ekipin U-23, e kështu me radhë...

Elita e futbollit gjerman respektivisht skuadra e Hannoverit shumë shpejt mund të pasurohet me një talent që premton shumë. Ai është futbollisti me prejardhje nga Kosova, Egcon Musliji.

18-vjeçari është pjesë e skuadrës U18 të Hannoverit, derisa objektiv i tij kryesor është që të bëhet profesionist. Ka mundësi që Hannover 96 të jetë trampolina e ngritjes lart për talentin shqiptar. Për këtë është i bindur edhe trajneri i tij, Hartmut Herold.

“Egconi është i fortë në dyluftime, me një teknikë brilante dhe një lojtar me të ardhme të mirë. Ai mund të shkojë larg. Ne jemi duke luajtur në një seleksion inferior për të”, theksoi për uebfaqen gjermane dewezet.de, trajneri Herold për kapitenin e tij, pas ndeshjes testuese kundër Borussia Dortmundit, të cilën e humbi 1:2.

Musliji, i ftuar të luajë si sulmues, i ka entuziazmuar 300 spektatorët e pranishëm në stadium, duke mos pasur problem ndaj mbrojtjes së kundërshtarit, e cila udhëhiqej nga gjiganti Diego Menendez.

“Përmes shpejtësisë sime, jam përgjigjur disa herë duke i kaluar kundërshtarët, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Megjithatë, jam i kënaqur me lojën që e shfaqa”, deklaroi Musliji modest.

Për Borussian, golat i shënuan Jannik Albert (56) e Jannik Bandowski (81), kurse golin e vetëm për Hannoverin e realizoi Tim Wohlfahrt (60). “Dortmund e meritoi fitoren, sepse ne po vinim pas periudhës së pauzës, dhe trajneri i provoi disa lojtarë, që nuk e kanë pasur mundësinë të luanin dhe që ishin jashtë ritmit”, vazhdoi futbollisti shqiptar.

18-vjeçari është fans i vjetër i yllit argjentinas, Lionel Messi. Ai udhëton çdo ditë me tren ose me tramvaj nga Hamelin për në Hannover, më saktësisht në qendrën sportive Eilenriedestadion.

Ai e kishte filluar karrierën në moshën pesëvjeçare në ekipin Eintracht Hamelin, ku kishte punuar me trajnerin legjendar, Helmut Hanus. Më pas, Musliji për 9 vjet e ka veshur fanellën e Preusen 07, për t’u transferuar pastaj në Hannover, në muajin janar, kur vinte nga HSC BW Tundern.

Për 18-vjeçarin, fjalë të mira ka folur edhe ish-trajneri dhe promotori i Muslijit, Hassan Hamadi, që ishte i pranishëm në tribunën e stadiumit Weserstadions, në Grosenwieden

“Nëse vazhdon të punojë, pastaj ai ka mundësi të mira që të kalojë në ekipin U-23 të Hannoverit”, Hamadi, i cili i preferon ish-lojtarit të tij që të mos ngutet në vendimet që do t’i marrë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›