E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullore të reja

Ministria e Kulturës ka miratuar Rregulloren për Çmimet në Kinematografi, Çmimet për Teatër, plotësim-ndryshimet në Rregulloren për Këshillin e Librit dhe Statutin e Galerisë së Arteve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi ditën e premte e ka pasur mjaft të frytshme, pasi që nënshkroi Rregulloren për Çmimet Vjetore në Kinematografi, Rregulloren për Çmimet Vjetore në Teatër, plotësim-ndryshimet në Rregulloren për punën e Këshillit të Librit, si dhe miratoi Statutin e Galerisë së Arteve, që në fakt është hera e parë që ky institucion ka një dokument të tillë.

Përmes një komunikate për shtyp, të dërguar nga MKRS, bëhet e ditur se këta hapa janë në kuadër të angazhimeve të MKRS-së për reformën në legjislacion dhe institucionale, në vlerësimin për krijuesit dhe performuesit tanë në film dhe teatër, si dhe në rritjen sa më të madhe për botuesit e librit dhe bibliotekat komunale.

Aty bëhet e ditur se Rregullorja për Ndarjen e Çmimeve në Kinematografi ka dy kategori: Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Bekim Fehmiu’, i cili u jepet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë.

“Ky çmim mund të ndahet edhe pas vdekjes së autorit. Laureat të çmimit mund të jenë: producentët, regjisorët, skenaristët, aktorët, drejtorët e fotografisë, kompozitorët, montazhierët, skenografët, kostumografët, animatorët dhe krijuesit që në mënyrë kreative kontribuojnë në kinematografi”, thuhet në komunikatë. Çmimi tjetër në këtë fushë është Çmimi vjetor për kinematografi, i cili çdo vit i jepet një autori për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik.

“Çmimi Vjetor për Kinematografi, sipas vendimit të jurisë, ndahet çdo vit vetëm në njërën nga këto kategori: producenti më i mirë, regjisori më i mirë, skenaristi më i mirë, aktori/aktorja më i/e mirë, drejtori i fotografisë, kompozitori më i mirë, montazhieri më i mirë, skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë dhe animatori më i mirë”, thuhet po aty.

Ndërkaq, Rregullorja për Ndarjen e Çmimeve për Teatër ka dy kategori: Çmimi kombëtar për vepër jetësore dhe Çmimet vjetore për teatër, që ndahet më pas në këto nënkategori: Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, Çmimi vjetor për aktorin / aktoren më të mirë dhe Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar.

Po ashtu edhe shkrimtarët dhe botuesit kanë arsye të gëzohen, pasi që në Rregulloren për punën e Këshillit të Librit tashmë përveç mbështetjes, nga ana e Këshillit të Librit, për shtëpitë botuese në botimin e titujve të ri, parashihet që të ketë mbështetje edhe në blerjen e librave, të botuar në dy vitet e fundit nga shtëpitë botuese, duke i shpërndarë ato më pas në bibliotekat komunale. Kjo do të mundësojë një mbështetje më shumë për botuesit, por edhe pasurim të fondit të librave të bibliotekave tona.

E kur bëhet fjalë për Galerinë e Arteve të Kosovës, me statutin e ri të galerisë, që u miratua nga ministri Krasniqi, përveç tjerash, këtij institucioni do t’i ndryshohet emri. Tash e tutje do të quhet Galeria Kombëtare e Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›