I Fundit/ Ministria e Mbrojtjes: 44 vatra zjarri në 24 orë, 14 mbeten aktive

14 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa forca të shumta në terren dhe mjete ajrore janë angazhuar për përhapjen e flakëve.
Sipas bilancit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra, 14 prej të cilave mbeten aktive.
Në Shkodër, ndërhyrja vijon në vatrën e Bardhaj-Myselimit, ku janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Zjarre aktive raportohen edhe në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit. Ndërkohë, vatra në Bërdicë nuk paraqet rrezik për banesat.
Edhe në Lezhë vijon puna për shuarjen e zjarreve në Gallatë dhe në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet.
Në këtë të fundit janë angazhuar edhe dy helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Tiranë, zjarret vijojnë në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit.
Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.
Vatra aktive ka edhe në Dibër, në Vajkal, Lundre-Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë.
Një tjetër vatër vijon në Vokopolë të Beratit.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse.
Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjen me 329 efektivë, mjete, gjashtë operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.
Autoritetet vijojnë monitorimin e vatrave aktive dhe ndërhyrjen në zonat ku flakët mbeten problematike, me fokus mbrojtjen e banesave dhe pasurisë së qytetarëve.