I afrohet fundit

Të shtunën në orën 11:00 në Hotel Centrum në Prizren, DokuFest mbajti konferencën e shtatë dhe të fundit për shtyp për këtë edicion. Samir Karahoda, përpilues i programit për filma të shkurtër në festival, mirëpriti Artan Miranollin, Drejtor i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, regjisorët: Gentian Koçi, Blerta Basholli, Kelmend Karuni, aktorin Armond Morina dhe piktorin e njëherit edhe regjisorin Driton Hajredini, për të qenë pjesë e kësaj konference, e cila filloi duke i bërë ftesë mediave që të jenë pjesëmarrëse në shfaqjen e 12 filmave të shkurtër, nga fotografi Seamus Murphy, të cilët përcjellin këngët nga albumi i fundit i këngëtares Pj Harvey, e gjithë kjo të shtunën në ora 22:00.
Pas shfaqjes së 12 filmave kishte panel për pyetje dhe përgjigje nga audienca me Pj Harvey dhe Seamus Murphy, ku ata folën rreth bashkëpunimit të tyre.
Gjatë konferencës, Miranolli tha se respekton lartë festivalin DokuFest i cili tanimë njihet edhe ndërkombëtarisht. I të njëjtit mendim ishte edhe Karuni, regjisor i filmit “Zheg”, i cili ishte edhe në konkurrencë për filmin më të mirë të shkurtër, duke thënë se është “i befasuar këndshëm me nivelin dhe kualitetin e programit”.
Gentian Koçi, regjisori i filmit “Revansh”, i cili konkurron në garën për filmit më të mirë për ambientin, tha se filmi i tij u prit mirë nga publiku dhe ndezi diskutim interesant. Përvojë të ngjashme pati edhe Driton Hajredini, i cili theksoi “nuk ka vend më të mirë për të shfaqur film se Kino në Lumë”, vendi ku shfaqi të premten filmin e tij “Si Qeni n’Rrush”.
Festivali DokuFest, i cili ka thyer rekord me shitjen e 6500 biletave deri më sot, është duke vazhduar të tërheqë publik edhe në çastet e fundit. Ngjashëm ndodh me aktorin Morina, i cili tanimë është bërë shikues i rregullt i festivalit. Ai ndjek festivalin dhe është pjesëmarrës që nga edicioni i parë i festivalit, dhe për këtë ai u shpreh se është i lidhur me DokuFest dhe sa herë kthehet këtu ndihet sikur në shtëpi.
Të shtunën në orën 20:30 në Kino Bahçe, shikuesit patën mundësi të ndjekin filmin “Lena and Me” të regjisores Blerta Basholli.
Filmi flet për një familje shqiptare në New York, të cilët pajtohen me martesë me mesitni të rregulluar nga familjet e tyre.
Dita e sotme, (e diel) 31 korrik, do të përmbyllë edicionin e 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”.