E Shtunë, 31 Tetor 2026

I akuzon për arrogancë

Albin Kurti i ka quajtur arrogantë Zëvendëskryeministren Edita Tahiri dhe Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kurti ka thënë se Hoxhajt ia ka kërkuar notat verbale për të verifikuar numrin e njohjeve, ndërsa Tahirit disa kopje të marrëveshjeve me Serbinë. Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se ka këta dy zyrtarë as që kanë marrë mundin të përgjigjen.

Deputeti dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, Zëvendëskryeministren Edita Tahiri se nuk po i përgjigjen kërkesave të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Kurti në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se këtyre dy zyrtarëve u ka shkruar letra, të cilave nuk u janë përgjigjur asnjëherë.

Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se Hoxhajt ia ka kërkuar notat verbale për të verifikuar numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe çështje tjera.

“Më 27 prill 2012 në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme ka qenë prezent edhe ministri Hoxhaj. Gjatë kësaj mbledhjeje jemi dakorduar lidhur me disa çështje, të cilat ministri ka premtuar që do t’i dorëzojë te Komisioni deri në fund të muajit maj”, ka thënë ai.

“Në vijim i keni kërkesat për të cilat jemi dakorduar: 1) Kopjet e notave verbale; 2) Strategjia e plotë për njohjet; 3) Raporti financiar për fushatën e lobimit jashtë dhe brenda vendit për njohjen e pavarësisë së Kosovës; 4) Letrat që ministri ua ka dërguar homologëve të tij në bashkësinë ndërkombëtare për arrestimin e Hasan Abazit, Arben Murselit, dy policëve kosovarë në Dumnicë, Burim Telakut, ekstradimin e Shemsi Nuhiut dhe vrasjen e Selver Haradinajt; 5) Plani strategjik për Akademinë Diplomatike. Edhe për këtë letër KPJ nuk i ka marrë as dokumentet e kërkuara e as përgjigje lidhur me pesë çështjet e cekura”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka folur edhe për kërkesën që ia ka bërë Zëvendëskryeministres Tahiri. Ai ka thënë se shefja e delegacionit në bisedime ka kërkuar një kopje të marrëveshjeve për menaxhimin e integruar të kufijve dhe atë të përfaqësimin rajonal.

“Një arrogancë të tillë, të mospërgjigjes në letrat që ua kam dërguar, ka edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Herën e parë dhe të fundit kur ajo erdhi në Komisionin tonë ishte më 8 prill të vitit të kaluar. Po, pra, më 8 prill të vitit të kaluar, jo më 8 prill të këtij viti, pasi që edhe kjo do të ishte bukur moti. Më 8 prill 2011 ajo kishte deklaruar që do paraqitet para Komisionit edhe në baza vullnetare sa herë që do të konsiderohet se ka lëvizje rrënjësore për t’u raportuar”, ka thënë Kurti.

Kurti i ka akuzuar këta dy zyrtarë se nuk po duan të bashkëpunojnë me Komisionin Parlamentar duke i ikur në nëtë mënyrë llogaridhënies.

“Mospërgjigja e ministrit Hoxhaj dhe zëvendëskryeministres Tahiri në letrat që ua kam dërguar si Kryetar i KPJ është anashkalim i tyre ndaj Kuvendit dhe komisionit përkatës të tij. Në demokraci, pushteti është me kusht, pra me kusht që do të jetë llogaridhënës. Në njërën anë e kemi pavarësinë tonë të kushtëzuar. Në anën tjetër, e kemi pushtetin e tyre të pakushtëzuar. Prandaj, ky Kuvend s’po mund të jetë vend i Republikës”, ka thënë Kurti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›