I arrestuari, në gjyq me kapuç në kokë për të fshehur plagët e dhunës
Tiranë- 17 vjeçari L.P. nga Hasi zbriti nga makina e policisë dhe hyri në gjykatën e kryeqytetit me një kapuç sportiv në kokë, i shoqëruar nga dy policë.
Ishte maskuar kështu jo për shkak të të ftohtit. As për çështje mode por edhe as për ndonjë arsye tjetër.
Por për të fshehur nga mediat dhe fotografët shtatë plagët e bëra pak kokës nga qyta e pistoletës së një oficeri policie.
Të gjitha këto plagë janë qepur pas arrestimit të tij në Spitalin Ushtarak. Në fakt masa e sigurisë për adoleshentin nga Hasi dhe me banim në kryeqytet ishte parashikuar që të zhvillohej një dite më parë, por sapo gjyqtarja Irena Hoxha ka parë të riun me fasho në kokë dhe me rroba të gjakosura ka ndërprerë menjëherë gjykimin duke duke i kërkuar prokurorit Përparim Haska që të hetojë dhe të zbulojë se përse është dhunuar i pandehuri, dhe kush e ka dhunuar.
Për këtë arsye gjyqtarja e ka shtyrë si rrallë ndonjë herë masën e sigurisë për të martën, seancë e cila u zhvillua me dyer të mbyllura dhe jashtë afateve që kërkon ligji që është brenda 48 orësh pasi shtetasi ndalohet.
Gjyqtarja e la adoleshentin L.P në arrest me burg, jo për akuzën e grabitjes sikurse pretendon prokuroria por për armëmbajtje pa leje dhe për kundërshtim të forcave të policisë. Avokatët e adoleshentit, ndërkohë, kanë bërë kallzim penal për oficerët e komisariatit numër 3 për dhunë ndaj të miturit, si dhe kanë vënë në dijeni Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm për dhunimin e paprecedent të të arrestuarit.
Policia nga ana e saj pretendon jo zyrtarisht që 17- vjeçari të jetë dhunuar pasi i ka bërë rezistencë patrullës së policisë gjatë aksionit për neutralizimin e tij në rrugën “Gjergj Legisi” , aty ku u tentua të grabitej në fundjavë një kazino, në të cilën ishte protagonist adoleshenti i arrestuar dhe shoku i tij tashmë i shpallur në kërkim.
Djali që mban kapuç gjatë hyrjes në Gjykatë
Djali i dhunuar
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: