I arrestuari për trafik armësh, i afërm i gjyqtarit të Krimeve
TIRANË- Njëri nga të arrestuarit e dy ditëve më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të 10 pistoletave mini-bloë, 44- vjeçari Kujtim Laçi është pjesëtar i familjes së ngushtë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit po për Krime të Rënda, Amarildo Laçit. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme. “Nga hetimet disamujore ka rezultuar se i dyshuari Kujtim Laçi ka djalë xhaxhai gjyqtarin Amarildo Laçi, i cili prej disa kohës punon si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet. Deri tani nuk kemi informacion nëse gjyqtari Laçi kishte dijeni për veprimtarin e djalit të xhajës së tij, edhe pse mësohet se janë pjesë e familjes së ngushtë”,-thanë burimet nga policia. Sipas tyre, mësohet se gjyqtari Laçi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, duke qenë gjithashtu bashkë me një klasë me kryeprokuroren e Përgjithshme Ina Rama.
Ndërkohë, sipas burimeve nga akuza mësohet se dy “trafikantët” e pistoletave e kanë mbyllur gojën para hetuesve të prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke preferuar të mos flasin për asgjë edhe pse janë arrestuar në flagrancë. “Gjatë mbrëmjes së premte, oficeri i Krimeve të Rënda bashkë me zvprokurorin e këtij institucioni, Kostaq Beluri, kanë zbritur në qelitë e Drejtorisë së Policisë për t’i marrë në pyetje dy të arrestuarit Kujtim Laçi dhe Afrim Stafuka, të cilët nuk kanë preferuar të flasin për asgjë, përveç të dhënave të tyre personale”,-thanë burimet. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, të dy “trafikantët” veç e veç nuk kanë pranuar të flasin as për emra të personave të tjerë apo atyre që ia kanë siguruar pistoletat e ardhura nga Kosova. Sipas akuzës, dy të arrestuarit me porosi të agjentit të policisë i cili ishte infiltruar mes tyre, kishin sjellë nga Kosova 10 pistoleta të tipit “mini-blow” të cilat ia shisnin agjentit me 24 mijë lekë të reja copën. “Mëngjesin e së premtes, teksa Kujtim Laçi, 44 vjeç, dhe Afrim Stafuka, 39 vjeç, po kryenin dorëzimin e 5 pistoletave të porositura nga agjenti i policisë i cili ishte kamufluar si blerës i armëve, policia nën urdhrat e prokurorisë organizoi operacionin për arrestimin e tyre duke i prangosur në flagrancë si dhe u krye sekuestrimi i 5 pistoletave të tipit mini-bloë të kalibrit 6.6 mm”-thuhet nga akuza, duke shtuar se gjatë kontrollit të banesës së Laçit policia gjeti dhe sekuestroi edhe 200 gram lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Sipas prokurorisë, takimi i së premtes në mëngjes mes dy “trafikantëve” dhe agjentit të kamufluar ka qenë takimi i tretë, pasi në dy takimet e para Laçi dhe Stafuka i kanë shitur edhe 5 pistoleta të tjera agjentit të policisë me porosinë e këtij të fundit. “Porositja dhe blerja e këtyre pistoletave është kryer nën vëzhgimin e prokurorisë dhe lejes së dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi agjenti i kamufluar me marrjen e informacionit se dy të arrestuarit Laçi dhe Stafuka kryenin “trafik armësh”, ka shfrytëzuar njohjet e tij për t’iu afruar “trafikantëve”, ku kundrejt 200 eurove i ka kërkuar gjetjen e një pistolete të tipit mini-bloë të prodhimit serb. Pas, kësaj porosie, të arrestuarit e kanë siguruar atë nga linja e trafikut Serbi-Kosovë-Shqipëri dhe ia kanë dorëzuar agjentit. Pas kësaj blerjeje, agjenti ka kryer edhe porosinë e dytë, duke i kërkuar gjetjen edhe të katër pistoletave të tilla. Kështu, Laçi dhe Stafuka, duke parë fitimin e tyre dhe korrektesën e agjentit kanë kërkuar të punojnë sërish bashkë, ku agjenti ka porositur edhe pesë pistoleta të tilla, ku mëngjesin e së premtes kishin lënë takim për dorëzimin e tyre në vendin e quajtur “mbikalimi” në Fushë Krujë ku gjatë shkëmbimit të parave me armët policia ka ndërhyrë duke i arrestuar në flagrancë.