E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bye Bye" Çelsi, Sheva kthehet te Milani

Pas ditësh me njoftime dhe përgënjeshtrime, vjen dhe zyrtarizimi për ukrainasin. Termat ekonomike, sekret

E pabesueshme, por e vërtetë. Pas ditësh të tëra me njoftime dhe përgënjeshtrime, Andrei Shevçenko kthehet te Milani. Klubi kuqezi e ka bërë të ditur dje pasdite lajmin përmes një komunikate. Në adresën zyrtare në internet, lexohet që "është arritur marrëveshja me klubin e Çelsit për kalimin e Andrei Shevçenkos me fanellën kuqezi. Futbollisti do të jetë sot në Milano për t'iu nënshtruar vizitave mjekësore. Termat e marrëveshjes ekonomike me Çelsin janë sekrete."

PËRMBYSJA - Pra, pas dhjetra serive, me skenarë edhe përrallorë, si ajo në "Villa Certosa", në fund ukrainasi kthehet te Milani: të paktën tani është zyrtare. Pas shumë peripecish, klubi i Berluskonit ka arritur një marrëveshje me atë të Abramoviçit, por fakti që të çudit më shumë, është mungesa e transparencës mbi marrëveshjen ekonomike të çështjes. Shevçenko e la Milanin për Çelsin dy vjet më parë, pas shtatë sezonesh në të cilat kishte luajtur 296 ndeshje dhe shënuar 173 gola. Me Milanin fitoi një titull, një Ligë Kampionesh, një Superkupë Europiane, një Superkupë Italiane dhe një Kupë Italie.

GALIANI - Pas njoftimit zyrtar për kalimin e 32-vjeçarit (i mbush në mes të shtatorit), administratori i deleguar kuqezi, Adriano Galiani nuk e fsheh kënaqësinë e tij, por jo vetëm: "Presidenti Berluskoni dhe unë jemi të lumtur, përfshirë dhe trajnerin tonë Ançeloti, - janë fjalët e para të numrit dy të Milanit. - Pas një serie të gjatë dhe të lodhshme telefonatash, që zgjatën gjithë ditën (dje), kemi arritur një marrëveshje me Çelsin. Arritëm të sjellim në shtëpi lojtarin që në 50 vitet e fundit, ka shënuar më shumë gola me fanellën tonë. Besoj se Milani është i vetmi klub që ka në skuadër aktualisht tri "Topa të artë" (lexo: Shevçenko, Ronaldinjo e Kaka)." Në fund, Galiani sqaroi: "Andrei gaboi që u largua dhe besoj se pas dy vjetësh e ka kuptuar që Milani është shtëpia e tij. Tani bëri sakrificat e tij ekonomike, por në këtë aspekt e vetmja gjë që ka rëndësi është se ai u kthye më në fund."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›