Kapiteni Xherrardnderon Liverpulin, mundet Arsenali
Kapiteni Stiven Xherrard ka shënuar në minutën e katërt të kohës shtesë duke i dhënë Liverpulit fitoren 2-1 ndaj Midëllsbrout. Një gol i shënuar me kokë nga Majkëll Ouen i dha Njukasëllit tri pikët ndaj Boltonit, ndërsa Sandërlendi bëri surprizën më të madhe duke fituar 2-1 në fushën e Totenhemit. Xhibril Size, i ardhur nga Marseja, shënoi golin e fitores.
Ndeshja më e bukur e javës së dytë të kampionatit anglez u zhvillua në "Anfild Road", ku tifozët e Liverpulit qëndruan me zemër në dorë për 90 minuta. Mido kaloi në avantazh Midëllsbroun në minutën e 17-të me një goditja nga distanca. "Të kuqtë" e Benitezit u hodhën në sulm, por arritën në barazojnë vetëm katër minuta para fundit, kur Emanuel Pogatez devijoi në portën e tij goditjen e Xhemi Karragerit. Pikërisht, kur ndeshja po i drejtojej barazimit, Stiven Xherrard nxorri një tjetër mrekulli nga cilindi i magjistarit dhe i dha Liverpulit fitoren e dytë në këtë kampionat. Arsenali është mundur 1-0 në fushën e Fulhemit. Vendasit shënuan në fundin e pjesës së parë, ndërsa "topçinjtë" e Vengerit dominuan në qarkullimin e topit, por gabuan më pasimin e fundit. Arsenali nuk diti ta kërkojë barazimin dhe në fund ishte Fulhemi, që mund të shënonte golin e dytë.
Ndërkohë, Zhibril Size është rikthyer me gol në Kampionatin Anglez. Pas dy vitesh me Marsejën, ish-sulmuesi i Liverpulit, debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme me fanellën e Sandërlendit, duke i dhënë skuadrës së Roi Kinit fitoren 2-1 në fushën e Totenhemit pretendent. Ky ishte rezultati më i bujshëm i ditës së djeshme. Totenhemi nuk pati në radhët e tij sulmuesin bullgar Dimitar Berbatov, i cili duket se ka bërë gati valixhet për të luajtur me Mançesterin. Pas humbjes së dytë radhazi, trajneri i "spërsave", Huande Ramos, tha: "Nuk e përfshiva Berbatovin në skuadër sepse nuk mendoj se është i përqëndruar aq sa duhet. Nuk mendoj se prania e tij do të na ndihmonte në këtë ndeshje. Nuk ka rëndësi niveli i futbollistit, derisa nuk është në gjendjen ideale psikologjike nuk mund të luaj ashtu si duhet."
Në ndeshjet e tjera të luajtura dje, sulmuesi nga Mali, Mamadi Sidibe, shënoi në minutën e katërt të kohës shtesë, duke i dhënë debutuesve të Stokes fitoren 3-2 ndaj Aston Vilës. Evertonit i'u desh një orë lojë për të mposhtur mbrojtjen e Uest Bromuiçit në ndeshjen që më pas u mbyll 2-1. Blekbërni barazoi në fushën e tij ndaj Hullit. Sot, Çelsi do të udhëtojë për në Uigan, ndërsa Mançester Siti pret Uest Hemin. Nesër, ndeshja Mançester Junajtid-Portsmuth do të mbyllë javën e dytë të Premier Ligës. Kjo sfidë do të jetë imitim i Superkupës së Anglisë, e cila u luajt dy javë më parë dhe u mbyll në barazim 0-0. "Djajtë" fituan me 11-metërsha.