I bllokohen 70 mijë euro tregtarit, nuk i deklaroi
Një person, i cili është prezantuar si tregtar nga Durrësi, është kapur dje në Rinas me 70 mijë euro teksa tentonte të udhëtonte drejt Gjermanisë. Ervis Xheka u kap paraditen e djeshme, pasi kishte prerë biletën dhe ishte bërë gati për të udhëtuar. Strukturat e hetimit të krimit në Rinas, që janë në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kufirit, kanë marrë informacion se ai mbante me vete 70 mijë euro, që nuk i kishte deklaruar në organet kompetente të doganës. Menjëherë është bërë bllokimi i tij dhe është shoqëruar në ambientet policore. Atij i është ushtruar kontroll fizik, por edhe në çantën që mbante me vete. Pikërisht në çantë i janë gjetur 70 mijë euro, që nuk i kishte deklaruar sipas ligjeve në fuqi. Në këto momente është bërë bllokimi i parave, ndërkohë që oficeri i policisë e ka marrë në pyetje në lidhje me destinacionin e tyre. Burimet policore shpjeguan se ai ka deklaruar para oficerit se ishte tregtar dhe do të udhëtonte drejt Gjermanisë. Megjithatë, nuk ka dhënë shpjegime se për çfarë do t’i shpenzonte këto para dhe me çfarë biznesi merrej. Kjo ka ngritur dyshime te policia, që nuk e ka lejuar të marrë paratë, duke ia bllokuar dhe e ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë. Burimet policore nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë bënë të ditur se materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Pas dhënies së deklaratës, Xheka është lënë sërish i lirë, por sipas të dhënave hetimore paratë duhet të ishin bllokuar nga dogana, por atyre u ka shpëtuar ky rast dhe, nga ana tjetër, i ka bllokuar policia. Vetëm pak ditë më parë, disa tregtarë u kapën në Rinas, që u arrestuan bashkë me dy doganierë për kontrabandë në Rinas. 31-vjeçari nuk është lejuar të udhëtojë drejt Gjermanisë, po është kthyer në banesën e tij, ndërkohë që pritet të thirret në prokurori për të dëshmuar mbi këtë tentativë.
#