Fshesë komandove, u rebeluan për pagat në Afganistan
Drejtuesit e ushtrisë shqiptare kanë ndëshkuar komandot, të cilët shërbenin në Afganistan, pasi guxuan t’i dërgonin një peticion qeverisë shqiptare për të rritur shpërblimet për ta. Thuajse e gjithë kompania që shërbeu në Herat, në misionin e fundit, është ndëshkuar disiplinarisht nga ulja në gradë e deri te largimet nga radhët e ushtrisë. Duke iu referuar televizionit “Top Channel”, rreth 30 nënoficerë, rreshterë apo tetarë dhe plot 7 oficerë kanë marrë ndëshkime disiplinore për ankesë kolektive. Sipas drejtuesve të repartit më special të Forcave të Armatosura, ata kanë ulur dinjitetin e vendit në misionet jashtë shtetit. Komandot e gradave të ulëta janë përjashtuar nga radhët e Forcave të Armatosura, ndërsa oficerët e tyre janë ulur në gradë dhe transferuar në reparte të tjera në Tiranë e rrethe. Shkak për këtë është bërë një peticion që komandot i kanë dërguar Ministrisë së Mbrojtjes në fund të vitit të kaluar, ku e kushtëzonin rritjen e pagës me kthimin në atdhe. Të kontaktuar nga “Shqip”, drejtues të repartit thanë zyrtarisht se ushtarakët duhet të kishin zbatuar ligjin që ndalon rreptësisht ankesën kolektive. Ky është, sipas tyre, edhe shkaku i ndëshkimeve të efektivit të kthyer pak kohë më parë nga misioni në Herat.
AnalizaKompania që është kthyer së fundi nga Afganistani nuk është pritur me ceremonitë e zakonshme në këto raste, e madje sapo është bërë nisja e kontingjentit tjetër kanë nisur analizat për “rebelimin” e tyre muaj më parë. Përveç përjashtimit të atyre që u quajtën nismëtarë të revoltës, janë ndëshkuar edhe komanduesit që jo vetëm janë ulur në gradë, por edhe larguar nga reparti special. Këta të dytët akuzohen se kanë qëndruar indiferentë apo dhe nuk i kanë bindur vartësit e tyre për paligjshmërinë e ankesë që ata kanë bërë për rritjen e pagës. është kursyer pjesa tjetër e efektivit të rolit zbatues, pra ushtarët profesionistë, kjo për arsye se nga analiza ka dalë që ata nuk kanë qenë të implikuar zyrtarisht, pra me firma, në këtë kërkesë për ngritjen e pagave. Nga ana tjetër, ushtarakët pretendojnë se ata kanë kërkuar diçka që u takonte, pasi edhe në kontratë parashikohej që rroga të ishte 60 dollarë në ditë pa tatime, kurse me një vendim të qeverisë u tatohej 10 për qind, gjë që e zvogëlonte shpërblimin e tyre. Pikërisht në dhjetor, një ekip i Ministrisë së Mbrojtjes, në përbërje të të cilit ishin edhe përfaqësues të repartit komando, kanë zhvilluar një takim me Komisionin Parlamentar të Rendit dhe Sigurisë. Të gjithë kanë qenë në një mendje për të kërkuar me urgjencë ndërhyrjen në sistemin e pagave për forcat ushtarake shqiptare që shërbejnë në zonat e konfliktit. U tha se brenda muajit janar të këtij viti qeveria do të përgatisë draftin, ku do të kishte rritje të ndjeshme të trajtimit financiar për ushtarët shqiptarë që veprojnë në përbërje të forcave paqeruajtëse në zonat e konfliktit.
ProblemiAktualisht, rrogat e komandove shqiptarë janë më të ulëtat krahasuar me të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Shpesh kjo vë në dilemë paqeruajtësit për të marrë përsipër rrezikun apo jo në frontin e luftës për një shpërblim mjaft të paktë krahasuar me kolegët e tyre të vendeve të NATO-s. Kjo ishte edhe arsyeja që i detyroi pjesëtarët e forcave tona paqeruajtëse në Afganistan të kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shpërblimeve. Nuk ishte hera e parë që komandot shprehnin pakënaqësi për shpërblimin e tyre të pamjaftueshëm në Afganistan. Ushtarakët shqiptarë, me mision në Herat, u detyruan që nga reagimet me fjalë të kalonin në veprime konkrete, duke bërë një peticion drejtuar qeverisë shqiptare. Në të ata kërkonin rritjen e pagave nga 54 në 80 dollarë në ditë. Madje, ishin të prerë në kërkesë aq sa nëse ajo nuk realizohej kërkonin kthimin e menjëhershëm në Shqipëri. Në peticionin që i kanë drejtuar ministrit të Mbrojtjes komandot shkruanin se nuk ia vlente të rrezikoje jetën në vend të huaj për 54 dollarë, apo që nuk ishin të kënaqur me trajtim ushqimor në të tria vaktet. Dieta ditore për një ushtar të Regjimentit të Trupave Komando është i pakrahasueshëm me atë të ushtarëve të kontingjentit italian. Edhe shpërblimi nuk krahasohet fare, sepse 54 eurot ishin katër herë më pak se shpërblimi që merrnin italianët. Kontestime ata kanë pasur edhe për kushtet e akomodimit, pasi strehoheshin në çadra aspak të përshtatshme.
#