E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngritja e Komisionit Hetimor, në përputhje me rregulloren

Reagimi zyrtar i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli

Bien poshtë pretendimet e Edvin Kristaq Krizës (2K) se vendimi i marrë nga Kuvendi për ngritjen e Komisionit Hetimor, është në shkelje me rregulloren e këtij institucioni.
Pas deklaratave të kryetarit të PS-së Edi Rama ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit nëpërmjet zëdhënëses Suela Ruseti.
Në një njoftim për shtyp zëdhënësja Ruseti ka sqaruar se vendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet është në përputhje të plotë me rregulloren.
Sipas Rusetit, rregullorja e parlamentit parashikon se nisma mund të tërhiqet para votimit, por asnjë nga deputetet nismëtarë depozitoi një kërkese të tillë. Edhe nominalisht tërheqjen e deklaroi vetëm deputeti Taulant Balla; dhe sipas zëdhënëses së Kuvendit mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, përgënjeshtrojnë pretendimin për shkelje të procedurave.
“Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit me 73 vota ‘pro’ ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t’i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë. Grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve proceduriale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetet nismëtar nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma. Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla asnjë nga kolegët e Ruçit nuk u bashkua me atë. Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgënjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave. Me votimin, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Roseti.
Sipas saj, Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›