“Vlerësojmë diplomacinë e Shqipërisë, ajo ka të ardhme të sigurt në BE”

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta takon në Uashington Zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA, James B. Steinberg
Në vazhdim të vizitës së tij në Washington DC, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, James B. Steinberg.
Gjatë këtij takimi Zëvendëssekretari i Shtetit Steinberg dhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Meta u ndalën në çështje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA në kuadër të sigurisë ndërkombëtare, në rolin e Shqipërisë në rajon si dhe në proçesin e njohjes së Kosovës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Meta paraqiti edhe një herë qëndrimin e konsoliduar të Qeverisë Shqiptare për pjesëmarrje aktive në operacionet ndërkombëtare të sigurisë, duke theksuar prezencën në Afganistan dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, si dhe duke garantuar një angazhim dhe kontribut në rritje të Shqipërisë në operacionet e Aleancës.
Gjithashtu, Meta dhe Steinberg diskutuan mbi situatën në Rajonin e Ballkanit duke vënë në dukje rolin strategjik të Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Meta e njohu Steinberg me vizitën e tij të fundit në Serbi, takimet me drejtuesit politikë dhe vizitën në Luginën e Preshevës.
Zëvendëskryeministri Meta u shpreh se “kjo vizitë i shërben jo vetëm rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe rritjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, i cili ka tashmë një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Evropian”.
Më tej, Zëvendëskryeministri Meta dhe Zëvendëssekretari Steinberg ndanë pikëpamje të njëjta për çështjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u konsiderua si një proces i pakthyeshëm që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në këtë kuadër, Meta shprehu angazhimin e Shqipërisë për shtimin e përpjekjeve diplomatike në dobi të njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës nga shtete të tjera.