E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri terrorizon me kallash nusen e vjehrrin

14/07/2009  Shehaj tenton të vrasë dy anëtarët e familjes dhe më pas largohet, prangoset nga policia

TIRANE- Një sherr midis dy bashkëshortëve për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi të vërtetë në rrethin e Kavajës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në fshatin Gosë, ku pas sherreve të njëpasnjëshme me gruan e tij, Fatmir Shehaj, ka rrëmbyer automatikun, duke tentuar të vrasë shtetasen 32-vjeçare Luiza Shehaj dhe më pas vjehrrin e tij, shtetasin 64-vjeçar Sulejman Shehi. Në të njëjtën kohë ai ka marrë peng shtetasin 40-vjeçar Shkëlqim Karuli, të cilin e ka detyruar që me automjetin tip “Ford” të largohet nga vendi i ngjarjes. Burime pranë policisë së këtij qyteti thanë se motivi i këtij krimi të rëndë kanë qenë zënkat e herëpashershme midis bashkëshortes dhe autorit të krimit, pasi ky i fundit në shumicën e rasteve kthehej në banesë i dehur dhe terrorizonte familjen. Të njëjtën gjë Fatmir Shehaj ka kryer edhe mbrëmjen e ditës së diel, ku pasi ishte vënë në dijeni se në shtëpinë e tij ndodhej edhe vjehrri, shtetasi Sulejman Shehi, si për herë ai ka konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli (Raki) dhe është kthyer në banesë në orët e mesnatës. Sapo është futur në ambientet e shtëpisë, autori i krimit ka filluar të shkëmbejë fjalë kontradiktore me bashkëshorten e tij, Luiza Shehaj. Mirëpo duke mos duruar kritikat e gruas si dhe nën efektin e pijes alkoolike që kishte konsumuar, Fatmir Shehaj ka rrëmbyer një armë zjarri tip kallashnikov që e mbante të fshehur në banesë. Nën kërcënimin e armës 37-vjeçari Shehaj ka izoluar për orë të tëra vjehrrin dhe nusen e tij në një nga dhomat e shtëpisë. Mësohet se gjatë kësaj kohe, autori i krimit ka tentuar disa herë të ekzekutojë me vdekje, dy personat që kishte marrë peng. Ndërkohë që për të terrorizuar ata, Fatmir Shehaj ka qëlluar disa herë me automatik në ajër. Nga të shtënat janë alarmuar edhe banorët e zonës përreth, të cilët pasi janë vënë në dijeni të problemit, kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e komisariatit të Kavajës. Në të njëjtën kohë banorët i kanë bërë presion autorit, se në banesë së shpejti do të vinin punonjësit e policisë, të cilët do të mundësonin arrestimin e tij. Mirëpo për t’i paraprirë kësaj situate si dhe për të kryer rezistencë ndaj uniformave blu, Fatmir Shehaj ka nxituar menjëherë, duke i shtuar dy karikatorë me fishekë automatikut që mbante në duar. Pas disa minutave qëndrim ai ka vendosur të largohet nga banesa e tij, duke dalë në rrugën kryesore të fshatit Gosë. Pikërisht në këtë vend 37-vjeçari Shehaj, nën kërcënimin e armës ka detyruar shtetasin 40-vjeçar Shkëlqim Karuli, që me anën e makinës së këtij të fundit, ai të largohej menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pasi kanë dalë në rrugën nacionale Kavajë-Lushnjë, automjeti me targa të huaja është ndaluar nga një postbllok policie. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar drejtuesit e komisariatit të Kavajës, të cilët pas disa minutash negociatash kanë mundur të bindin shtetasit Fatmir Shehaj, që të dorëzohet pa bërë asnjë rezistencë ndaj policisë.

Ngrihen 4 akuza

Menjëherë pas arrestimit të Fatmir Shehajt, specialistët e policisë në bashkëpunim edhe me ata të Prokurorisë së Kavajës, kanë filluar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan 37-vjeçarin të kryejë krimin e rëndë. Nga studimi i vendit të ngjarjes dhe deklarimeve të dëshmitarëve Prokuroria aktualisht ka ngritur 4 akuza ndaj Fatmir Sehajt. Ato janë “vrasje me paramendim” mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”, “prishje të qetësisë publike” dhe të “heqje e paligjshme të lirisë”.

Precedenti në Tiranë

Ngjarja që ka ndodhur në fshatin Gosë të Kavajës, për pak nuk ka përsëritur atë të pak ditëve më parë që ndodhi në zonën e Alliasit në kryeqytet, ku si pasojë e një grindjeje familjare kanë mbetur të vdekur të persona dhe është plagosur rëndë një tjetër. Kjo ngjarje ka ndodhur mesditën e 3 korrikut, ku shtetasi Petrit Zaimi ka shkuar i armatosur me një pistoletë në banesën e vjehrrit të tij dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Azbi Gjoni, Nadirë Gjoni, Klevis Zaimit dhe më pas në drejtim të vetes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›