E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS humb betejën, në Berat s’ka numërim

14/07/2009  KQZ mes debatesh rrëzon kërkesën e socialistëve dhe G-99 për rinumërim votash

Nënkryetarja Subashi braktis seancën pas replikave me Kosovrastin. “Më kërcënoi”

Rezultati i Qarkut të Beratit do të mbetet ai që është përpiluar nga KZAZ-të e këtij qarku. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesat ankimore të PS-së dhe “G-99”-s për rivlerësim të votave në tri KZAZ nga katër që ka gjithsej ky qark, duke i dhënë fund pretendimit të PS-së për ndryshim rezultati. Arsyetim i vendimit i prezantuar nga subjektet e interesuara kundër subjekteve ankimuese lidhej me mungesën e provave që vërtetonin pavlefshmëri. Ankimuesit kërkuan rinumërimin e votave të të gjitha qendrave të votimit në KZAZ-në nr. 1 si dhe rivlerësim të votave në KZAZ nr. 2 dhe nr. 3. Sipas socialistëve, në dy KZAZ-të e fundit janë shpallur respektivisht 1113 vota të pavlefshme dhe 184, tek të cilat shumë i takojnë PS-së. “Te KZAZ-të nuk janë pasqyruar realisht votat e subjekteve zgjedhore. Të gjithë numëruesit e zonës dhe komisionerët e KZAZ-ve nuk kanë pasqyruar në rregull votat dhe kontestimet e vëzhguesve të PS-së”, - tha përfaqësuesi i PS-së Eno Bushi, duke konfirmuar se kontestimet e palëve nuk janë të dokumentuara. Pretendimi është vlerësuar i kotë dhe qesharak nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Ata u kanë kujtuar kundërshtarëve të vetë politikë se shumicën në KZAZ-në nr. 1 dhe 3 e ka pasur PS-ja. “ǒka ndodhur në këtë qark? Komisonerët e PS-së nuk kanë mbrojtur votat dhe ata të PD-së, që janë pakicë, kanë arritur të tjetërsojnë votat?! Nuk mund të hidhni baltë mbi procesin, kur vetë e keni administruar vetë”, - tha përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti. Situata është acaruara pas kërkesës së nënkryetares Dëshira Subashi për rivlerësim të votave. “Së bashku me kolegun Lazaj kërkoj që të zbatohet pika 3 e nenit 138 të Kodit, pasi unë kam ndjekur vetëm atë ditë procesin dhe nuk kanë rezultuar më shumë se 30 vota të kontestuara, ndërkohë që në vendime janë shënuar mbi 1000”, - tha Subashi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kosovrastit, i cili e cilësoi këtë kërkesë jo profesionale, por politike. “Qëndrim i nënkryetares është i paligjshëm. Anëtarët kanë bërë betimin për të respektuar ligjin dhe jo interesat politike, ndaj asnjë anëtar të mos guxojë të bëjë ndryshe”, - tha ai. Ky koment është vlerësuar jashtë etike nga Subashi, e cila ka lënë mbledhjen.

Kundërargumenti

Kaso: Kodi nuk parashikon rinumërim pa prova

Pika 3 e nenit 138 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit “në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara”, ka shkaktuar debatin mes palëve. Përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur në marrjen në konsideratë të propozimit të dy anëtarëve pa votim. Për këtë pikë përfaqësuesit e PD-së kanë vlerësuar se kodi aktual nuk e njeh procesin e rinumërimit të votave si qëllim në vetvete. “Rinumërimi është procedurë që niset nga një indicio e sigurt për të shkuar drejt një prove edhe më e sigurt, që vërteton parregullsitë. Prova të tilla nuk ka, kështu që kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, - tha përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso. Edhe anëtari i KQZ-së Klement Zguri gjatë trajtimit të çështjes risolli në vëmendjen e të pranishmëve kalimin e votës së qytetarëve në tri momente vlerësimi, duke u dhënë mundësi, siç tha ai, komisonerëve të lënë gjurmën e tyre në dokumente. “E keni bërë nenin 138 si vizë ‘Shengen’, që mund të bridhni gjithë Evropën. Jam për ta rrëzuar kërkesën”, - tha ai. Nga tri subjektet që kishin animuar, vetëm PS-ja dhe ‘G-99’ qëndruan në kërkesat e tyre, ndërkohë që subjekti i tretë, Paria Republikane, u tërheq nga pretendimet e saj për pavlefshmëri të rezultatit në Qarkun e Beratit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›