I demanton Bundeswehri
Më shumë se të tjerët, trupat e NATO-s në Kosovë duket se vetë janë duke pështjelluar informacionet, apo nuk duan të tregojnë se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur në veri të vendit.
Zyrtarët e trupave paqeruajtëse të KFOR-it në vend ndryshe flasin për publikun në Kosovë, e ndryshe për atë gjerman.
Ralf Adametz, një nga zëdhënësit e KFOR-it, të martën në mbrëmje tha se vetëm një ushtar i tyre është lënduar lehtë gjatë incidentit të kësaj dite rreth orës 13, në afërsi të pikës kufitare Kosovë-Serbi në Jarinje.
Por, në faqen e internetit të Bundeswehrit gjerman është publikuar një deklaratë në orën 19 e 5 minuta të së martës, e cila e pohon tërësisht të kundërtën me ato që zëdhënësi Adametz u tha medieve kosovare në konferencën e thirrur së bashku me EULEX-in, në orën 20 të së njëjtës mbrëmje.
Në deklaratën zyrtare të ushtrisë gjermane jo vetëm që numri i ushtarëve të lënduar të KFOR-it nuk është vetëm katër, ashtu siç vetë Adametz kishte thënë gjatë ditës së martë, deri në orët e pasdites, e që në mbrëmje i demantoi fjalët e veta, por edhe më shumë.
Në faqen e internetit të Bundeswehrit, në komunikatën e orës 19 e 5 minuta, shkruan se “tetë ushtarë të KFOR-it u plagosën lehtë, të cilët për trajtim të mëtejshëm janë dërguar në kampin amerikan Bonsteel”.
“Sipas njohurive të tanishme, ushtarët gjermanë nuk janë lënduar”, shkruan më tej në këtë komunikatë, e cila plotësohet edhe me fjalinë se “KFOR-i ka dërguar trupa shtesë si përforcime në kalimin kufitar në Jarinje”.
Por, vetëm disa orë më vonë, në mbrëmjen e së martës, në orën 23 e 45 minuta, Bundeswehri ka publikuar edhe një komunikatë të dytë në faqen e vet të internetit, si plotësim i asaj të mëparshmes.
Në njoftimin e dytë tregohet se ka edhe ushtarë gjermanë të KFOR-it, të cilët janë lënduar në përleshjet e së martës në mesditë, madje edhe për faktin se familjet e tyre janë njoftuar për këtë.
“Më 27 Shtator në orën 18 e 40 minuta, sipas kohës së Evropës Qendrore, në vendkalimin kufitar në Jarinje, një ushtar gjerman është plagosur pas në këmbë. Një tjetër ushtar është lënduar nga një shpërthim”, thuhet në njoftimin e ushtrisë gjermane.
“Rrethanat se si ka ndodhur të shtënat janë duke u përcaktuar. Ushtarët janë transportuar për në spitalin e Prizrenit dhe vazhdojnë të trajtohen atje. Familjet e të dy ushtarëve janë të informuar”, shkruan në njoftimin e dytë, duke saktësuar se “incidenti ende nuk ka përfunduar”.
Edhe pse në këto dy komunikata nuk tregohet nëse dy ushtarët e plagosur gjermanë e çojnë numrin e të lënduarve në dhjetë apo ata bëjnë pjesë në tetë të parët, së paku kuptohet se pjesëtarët e KFOR-it kanë pasur të martën shumë telashe në veri.
Lëndimin e ushtarëve të KFOR-it dhe disa civilëve serbë në këtë incident e kanë raportuar gjatë ditës së martë edhe mediat e Kosovës, të Serbisë dhe ato ndërkombëtare, por KFOR-i në mbrëmje, me mbështetje të EULEX-it, të gjitha i quajti “thashetheme”.
Dita e provokimeve
Tensionet në veri të vendit edhe më tej mbesin shumë të larta dhe ato gati u përshkallëzuan edhe më shumë gjatë ditës së mërkurë.
Rreth orës 11, nga një grup ekstremistësh serbë në vendin e quajtur “Çeshmellug”, që ndodhet në veri të Mitrovicës, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, i sulmuan disa shqiptarë.
Nga ky sulm me armë zjarri, tre shqiptarë janë lënduar, ndërsa për tre të tjerë nuk dihet as ku janë.
Dyshohet se aty kanë qenë rreth shtatë ekstremistë serbë, të cilët të maskuar dhe me tri vetura kanë shtënë me armë zjarri ndaj shqiptarëve, që ishin duke punuar në kuadër të një projekti të USAID-it për pastrimin e lumit Ibër.
Si pasojë e kësaj, tre qytetarë shqiptarë janë lënduar dhe po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, kurse për tërë të tjerë ende nuk dihet se ku janë.
Këtë sulm mbi grupin multietnik të 41 punëtorëve, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka dënuar fuqishëm.
Këta punëtorë mësohet se ishin të punësuar në projektin e përkrahur nga USAID-i për përmirësimin e jetesës së komuniteteve në Mitrovicën veriore.
“Viktimat e sulmit ishin serbë dhe shqiptarë të Kosovës, boshnjakë dhe të tjerë. Të gjithë ata ishin thjesht qytetarë të rëndomtë, të cilët punonin për kafshatën e gojës”, thuhet në komunikatën e ambasadës.
“Ne dënojmë përdorimin e dhunës dhe sulmin e kryer nga personat, të cilët ndjekin agjendën politike të së kaluarës dhe të cilët minojnë mirëqenien publike”, thuhet më tej në këtë reagim.
Situata në Lagjen e Boshnjakëve të mërkurën ishte e tensionuar pas bllokadave që bënë ekstremistët serbë për gjithë pjesën veriore dhe provokimeve të herëpashershme ndaj shqiptarëve.
Gjendja e krijuar ka bërë që edhe shqiptarët që gjenden në Lagjen e Boshnjakëve, t’i ndalojnë serbët që të kalojnë andejpari.
Për dallim nga ky incident, nata ndërmjet të martës dhe të mërkurës ka qenë relativisht e qetë. Nëpër barrikada kanë kujdestaruar një numër i vogël serbësh, por nuk është shënuar ndonjë incident apo provokim.
Kryeministri Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi ka rikonfirmuar qëndrimin e ekzekutivit se nuk do të ketë kthim prapa në raport me situatën në veri. Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë, ai ka thënë se nuk do të ketë kthim prapa, pavarësisht se çka ka ndodhur. Sipas tij, pas 25 korrikut nuk do të ketë kthim të situatës në të kaluarën. Thaçi po ashtu ka dënuar sulmet ndaj KFOR-it. Duke folur lidhur me zhvillimet në veri të Mitrovicës, Thaçi ka thënë se barrikadat dhe sulmet e ekstremistëve ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, nga ana e Qeverisë do të mbeten të dënueshme.
NATO
Gjatë shpërthimit të dhunës në pikën kufitare të Jarinjes, më 27 shtator, NATO ka reaguar me shpejtësi për të ofruar një ambient të sigurt, në mbështetje të përpjekjeve të EULEX-it për sundim të ligjit, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komanda e Bashkuar e Forcave të NATO-s në Napoli. Disa ekstremistë serbë tentuan të provokojnë dhunë, por incidenti është zgjidhur dhe situata është e tensionuar, por e qetë.