E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli vazhdon ndërtimet

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 14:30

Izraeli miratoi ndërtimin e 1100 shtëpive në vendbanimin e Gilos në periferi të Jerusalemit. Vendimi vjen disa ditë pasi udhëheqësi i palestinezëve, Mahmoud Abbas, i kërkoi OKB-se anëtarësimin e plotë të shtetit të Palestinës.

Duke iu referuar faqes online “Ynet News”, plani parashikon ndërtimin e shtëpive të vogla, ndërtesa publike, një shkolle dhe një zonë industriale.

Autoritetet izraelite thanë se në Gilo, përgjatë dy viteve të ardhshme do të ndërtohen 3000 shtëpi.

Të paktën 500 mijë hebraikë jetojnë në vendbanimet në territorin e pushtuar, të cilat ligji ndërkombëtar i cilëson të paligjshme.

Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, tha se ky vendim bie në kundërshtim me
propozimin e katërshes për Lindjen e Mesme, për rinisjen e bisedimeve mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Për Shtetet e Bashkuara plani është zhgënjyes, ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, u bëri thirrje palëve t’i shmangen akteve provokuese.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›