E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

I dërguari i Britanisë për Tregtinë vizitë në Tiranë: Të rrisim investimet dhe krijomë vende pune për dy vendet tona

I dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë, Martin Vickers po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve si dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Ai ka mbërritur në Tiranë më 5 korrik dhe ka zhvilluar një vizitë 3 ditore ku është takuar me përfaqësues të lartë të shtetit, ministra dhe përfaqësues të biznesit.

Vickers u takua me Zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, ku të dy u angazhuan për të shtuar investimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, që do të sjellë si rezultat vende pune dhe rritje ekonomike për vendet tona, në dobi të përbashkët.

 “Nuk mund të imagjinoja një kohë më të mirë se festimet e 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, për të promovuar një agjendë të ripërtërirë dhe pozitive”, u shpreh Vickers.

Deputeti Vickers mori pjesë edhe në Konferencën MINEX, duke promovuar bashkëpunim rajonal për zhvillimin e qëndrueshëm të minierave dhe për energjinë e rinovueshme. Në fokus të konferencë ishte inkurajimi i bizneseve që të thellojnë marrëdhëniet tregtare dhe investimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

“Ne duam të krijojmë vende pune dhe rritje ekonomike në të dy vendet tona, në dobi të përbashkët”, tha Vickers gjatë konferencës.

Ai ka vlerësuar edhe 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve duke thënë se palët duhet të punojnë edhe më shumë për të ardhmen e përbashkët.

“100-vjetori i marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë ofron një moment të shkëlqyer për të bërë bilancin e asaj që është arritur deri tani dhe ku do të shkojmë në të ardhmen, si dhe punën e përbashkët për të promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin për të dy vendet tona”, ka thënë Vickers sipas deklaratës së shpërndarë nga Ambasada britanike në Tiranë.

Arsimi ka qenë gjithashtu në fokus të dërguarit të Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë, ku gjatë një takimi me ministren Evis Kushi, Martin Vickers ka kërkuar eksplorim të mundësive për të shtuar partneritetin mes universiteteve të Anglisë dhe Shqipërisë.

“Ne do të punojmë për t’i afruar universitetet e Britanisë dhe Shqipërisë dhe ta çojmë bashkëpunimin në një nivel tjetër”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›