I duhet armik Stefan Fyle!
I duhet një armik i rëndësishëm në Evropë. Dhe duket e ka gjetur. Quhet Stefan Fyle! Këtë javë e nisi pikërisht me atë. Në fjalimin e tij të përgatitur me kujdes për tu dukur skandaloz, Sali Berisha foli për armiq evropianë të Shqipërisë, por nuk e la në ajër fjalinë. Foli për armiq që i dolën në krah Edi Ramës në mosplotësimin e 12 detyrave që Bashkimi Evropian i la qeverisë shqiptare për të plotësuar si kusht që të merrte ftesën për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Evropiani më i rëndësishëm që na firmosi lënien jashtë Evropës, Komisioneri Stefan Fyle, ishte dhe evropiani më përgënjeshtrues për Sali Berishën në retorikën e tij të dështuar se jashtë Evropës na la opozita. Stefan Fyle ishte i vetmi, jo vetëm nga përgjegjësia që ka, por dhe nga objektiviteti me të cilin ndjek procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, që deklaroi qartë se Shqipëria nuk përmbushi ASNJË nga 12 kushtet. Kjo deklaratë i jep fund spekulimit me fajtorin dhe kthen debatin tek përgjegjësia e qeverisë për këtë dështim.
Berisha në të vërtetë po matej nëse do ta përqendronte fushatën vetëm kundër opozitës apo ta shpërndante dhe më gjerë tek evropianët. Një gazetar që Berisha e përdor për qendër zëri qysh ditën e parë të dështimit bëri një test duke folur në një emision lajmesh, jo vetëm për faje të opozitës, por për faje të evropianëve që paragjykojnë Shqipërinë dhe tentoi ta shpjegojë këtë me faktin se Evropa është xheloze se ne jemi të lidhur me SHBA.
Deklaratat e djeshme të Berishës nuk janë as gafa dhe as lajthitje nga ato që dëgjojmë prej tij çdo javë. Berisha është realisht i interesuar të ketë një krizë me Evropën si një mënyrë për të justifikuar dështimin e procesit të integrimit dhe për të gëzuar realisht frytet e të mbeturit një geto feudale jashtë Evropës. Në fjalimin e tij të sotëm ka tri prirje të rrezikshme që do të diktojnë politikën e tij në të ardhmen.
Së pari fokusimi tek Komisionari Stefan Fyle si një armik i Shqipërisë, që ka qëndrime të njëjta me opozitën shqiptare. Fyle, i cili vjen nga një vend ish- komunist, e njeh mirë këtë retorikë dhe teori konspiracioni anti-evropiane që ish- komunistët e përdorin sa herë vihet në rrezik pushteti i tyre, ndaj nuk shqetësohet për pozicionin e tij në raport me Shqipërinë. Ai është i qartë se Shqipëria ndihmohet duke u futur në BE dhe jo duke u lënë jashtë saj, dhe rruga e vetme për ta ndihmuar është që populli ti bëjë presion qeverisë për të realizuar detyrimet. Pikërisht këtu shfaqet tendenca e dytë e rrezikshme e Berishës, që do të dominojë të ardhmen e lëvizjeve të tij politike. Berisha i është kundërpërgjigjur Fyles se presioni i Evropës kundër tij është prodhimtar për Berishën, pasi i jep koalicionit të tij më shumë vota. Me këtë kazus Berisha kërkon të paraqesë shoqërinë shqiptare si një shoqëri të orientuar anti-evropiane, pra që reflekton kundër presionit për tu futur në BE, dhe tenton po ashtu të legalizojë vjedhjen e votave si zgjedhje të lira. Tendenca për ta paraqitur shoqërinë shqiptare si shoqëri që reagon duke votuar kundër armiqve evropianë është në të vërtetë strategjia për të justifikuar kursin e tij të ri anti-evropian. E kam theksuar muaj më parë se ai është thellësisht i interesuar të qëndrojë jashtë mbikëqyrjes evropiane në pushtetin e tij personal dhe familjar në Tiranë. Tashmë ai po dizajnon dhe arsyet përse kemi mbetur jashtë Evropës dhe pse populli i tij e mbështet në këtë kauzë anti-evropiane. Deklarata e tij se armiqtë evropianë kanë bërë që ai të ketë 140 mijë vota më shumë se koalicioni kundërshtar, përveçse është spekulim politik i pastër, është një stërmundim për të gjetur mbështetje popullore tek kursi i tij anti-evropian. Nga ana tjetër ai përmend në këtë argument elektoral dhe vjedhjen e votave të Edi Ramës në Tiranë, të pranuar ndërkombëtarisht si të tillë nga raporti i ODIHR. Kjo do të thotë se ai po synon jo vetëm të gjejë argumente anti-evropiane tek spekulimi me shifra pa sens elektoral, por dhe tek legalizimi i votave të vjedhura që Evropa i ka dënuar. Pra, e ardhmja e Berishës pa armiq evropianë tani e tutje do të jetë një parajsë elektorale ku çdo votë e vjedhur do të quhet votë e dhënë nga inati i armiqve evropianë dhe çdo qëndrim i mëtejshëm i Berishës në pushtet një përgjigje ndaj atyre që nuk na duan në Evropë. Ky është një degradim tipik i një horri të degraduar që po përpiqet të gjejë fole për pushtetin e vet tek sovraniteti dhe pavarësia nga Evropa, ndërkohë që vendi kërkon të jetë pjesë e saj.
Tendenca e tretë e rrezikshme, të cilën po e përsërit për herë të dytë në karrierën e tij, por tashmë në sens të kundërt, është përpjekja për të ndarë Evropën nga SHBA në raport me Shqipërinë. Të njëjtën gjë tentoi të bëjë në vitin 1996- 1997 pa sukses duke u shpallur në kulmin e krizës me amerikanët si pro-evropianë. As njëra palë, as tjetra nuk e hanë këtë broçkull të tij dhe ai e di mirë, por tenton ta përdorë për pjesën jo urbane të Shqipërisë, atje ku mendohet se Shqipëria është në qendër të botës dhe Obama me Barroson para se të flenë në darkë flasin dhe një herë si e kemi Saliun në Tiranë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA jo vetëm kanë pikëpamje të njëjta dhe janë tërësisht të bashkuar në parimet mbi të cilat Shqipëria duhet të qeveriset për tu bërë vend i BE, por SHBA ka dhe kujdesin e posaçëm që të përdorë pikërisht procesin e integrimit të Shqipërisë si presion demokratik mbi qeverinë shqiptare për të korrigjuar defektet e rënda të demokracisë së saj. Nëse u hedh një sy kabllogrameve të ambasadorit Withers dhe udhëzimet e tij për Departamentin e Shtetit për mënyrën se si duhet të sillen me Berishën, e shikon qartë se një mjet i fortë presioni rekomandohet të jetë procesi i integrimit në BE. Legjenda e re e Berishës se armiku amerikan Withers iku dhe tani këta që janë në Tiranë dhe Uashington janë miq të tij është provinciale, e lig dhe fyese për diplomatët amerikanë në Tiranë dhe Uashington. Ajo është dyfish fyese kur tenton ti përplasë dhe me politikat e Brukselit ndaj Tiranës dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.
Këto tri tendenca negative që Berisha i shpalosi hapur dje në fjalimin e tij për armiqtë perëndimorë, duhen marrë seriozisht pasi ato më të gjitha llogaritë janë mënyra e vetme që Berisha të degradojë imazhin e Shqipërisë dhe ta kthejë atë në një tip Bjellorusie, ku vjedhja e votave të quhet zgjedhje, armiqësia me Perëndimin të quhet patriotizëm dhe pazaret personale të tij në kurriz të Shqipërisë të quhen miqësi popujsh. Berisha nuk ka asnjë shans të qëndrojë në pushtet nëse vendi futet në ombrellën e Bashkimit Evropian dhe qeveriset si një vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Mbetja jashtë dyerve të Bashkimit Evropian dhe rikthimi i Berishës tek teoritë e konspiracionit që lidhin kundërshtarët e tij me armiq perëndimorë, janë mënyra e vetme që ai të qeverisë si një feudal i degraduar lindor në çifligun e Familjes së tij, që ai ka frikë mos ia heq nga duart Perëndimi. Për këtë shkak i duhet armik Stefan Fyle, për këtë shkak i duhet një krizë me Evropën, për këtë shkak i duhet një alibi për vjedhjen e votave dhe një rivalitet i shpikur SHBA Evropë për shkak të tij!!!
