Ngërçi i EULEX-it, si dështim i politikës evropiane në Ballkan
U tha se, gjatë qëndrimit në Beograd, Shtefan Fyle, zyrtarëve serbë ua ka vënë kusht Kosovën për proceset integrative evropiane, dhe këtë e interpretuan si fitore të Kosovës. Edhe pse duket si kusht i rëndë për Serbinë, ky nuk është kurrfarë kushti, sepse Shtefan Fyle nuk mund t’i vejë kusht Serbisë që do të ishte në kundërshtim me interesat strategjike të saj. Dhe Shtefan Fyle nuk do të mund t’i vejë kurrfarë kushti të rëndë Serbisë, pasi që është vetë BE-ja që është e përçarë rreth Kosovës. Kur them këtë nuk kam parasysh vetëm faktin se janë 5 anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe faktin se janë më tepër se kaq vende që nuk kundërshtojnë pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, sidomos jo edhe autonomizimin e veriut të Kosovës. Janë më tepër se 5 anëtare të BE-së që tumirin pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, sidomos ndaj veriut të saj, e të cilat jo njëherë kanë shprehur hapur përkrahjen për një status autonom të kësaj pjese. Dhe Beogradi nuk do më shumë sesa realizim interesash në veri dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Edhe pse në politikën zyrtare të Beogradit, Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, zyrtarë serbë, përfshirë edhe presidentin serb, Boris Tadiq kanë bërë të qartë më shumë se njëherë se në praktikë nuk e trajtojnë ashtu. Nga qëndrimet e shprehura publikisht, dhe nga veprimet e kryera në terren, serbët duan një status të veçantë për veriun e Kosovës, siguri për serbët në enklava, ruajtje të trashëgimisë fetare në Kosovë. Zaten kështu u shpreh së fundmi edhe presidenti serb, Boris Tadiq. Dhe në këto ambicie, Beogradi nuk ka asnjë kusht nga ana e BE-së, ashtu siç nuk e ka kusht as njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo që po kërkon BE-ja nga Beogradi, është që të gjitha ambiciet e saj në Kosovë t’i realizojë në mënyrë paqësore, pra me dialog. Dhe mjetin për këtë ia kanë dhënë vetë BE-ja dhe OKB-ja bashkë: Rezoluta e përbashkët ndërmjet Beogradit dhe BE-së për negociatat me Prishtinën, 6 Pikshi i Ban Ki Munit, Rezoluta 1244 dhe shumë dokumente të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën. Dhe në këtë drejtim, Beogradi ka bërë shumë në realizimin e interesave të saj në Kosovë: pasi i krijoi enklavat serbe me gjakun e shqiptarëve, Serbia arriti që me ndihmën e linjës së Tiranës/Kretës dhe jo vetëm të saj, t’i legalizonte ato dhe t’i bënte pjesë të sistemit juridiko-kushtetues të Kosovës. Në anën tjetër, me anë të ndihmës së linjës udbasho-jugosllavokomuniste dhe jo vetëm të saj, që të përvetësonte pasurinë fetare të shqiptarëve të Kosovës dhe ta paraqesë si pasuri të sajën. Në drejtim të enklavave dhe të pasurisë fetare, Serbia tashmë ka arritur që të realizojë pretendimet e saj në Kosovë. Prandaj gjithë vëmendjen tash e ka në veri të Kosovës, ku vërehet një konsolidim përfundimtar i qendrës serbe të vendosjes në Mitrovicë, të cilën qendër e kishte legjitimuar Bajram Rexhepi menjëherë pas luftës në Kosovë më 1999. Konsolidimi i qendrës serbe të vendosjes në Mitrovicë, në të vërtetë, do të thotë konsolidim i ambicies serbe për veriun e Kosovës. Thënë të drejtën, edhe Pakoja e Ahtisarit, e rrjedhimisht edhe Kushtetuta e Kosovës, veriun e Kosovës, e trajtojnë si një entitet autonom, pasi që Mitrovica Veriore, siç quhet në këto dokumente substanciale juridiko-kushtetuese, ka kompetenca shtesë që i përkasin nivelit qeveritar, siç janë ato që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, financat, administrimin lokal, bashkëpunimin ndërkomunal dhe ndërkufitar, kurse 6 Pikshi i Ban Ki Munit, mundëson një qasje tjetër ndaj pikave doganore 1 dhe 31 rreth të cilave, po luhet teatri i radhës. Rreth tërë këtyre, BE-ja ka një qasje shumë të gjerë me mundësi shumë të mëdha që të përkrahë edhe negociata Prishtinë – Beograd lidhur me veriun e Kosovës. Këtë e bën edhe më të besueshëm jo vetëm rrjedha e gjertanishme e proceseve në veri dhe në negociatat aktuale Prishtinë – Beograd, por edhe qëndrimi jo shumë i qartë i KFOR-it në raport me barrikadat serbe në veri.
Në një situatë të tillë, është shumë e qartë se Serbia e ndjen veten komode edhe pas vizitës së Shtefan Fyles në Beograd, i cili në fakt kishte shkuar për të ndarë gëzimin me zyrtarët serbë për kandidaturën serbe për në BE. Është kështu, për faktin se çështja e statusit të vendit kandidat për Serbinë, në të vërtetë, më shumë e ka mbajtur në ankth BE-në sesa Beogradin, pasi që përballë refuzimit të Beogradit për të hequr dorë nga ambiciet e tij në Kosovë, BE-ja e ndiente veten të mposhtur, sepse e shihte se po i dështonin të gjitha mjetet e trysnisë mbi Serbinë. Kjo vinte për shkak të vendosmërisë serbe që vinte edhe për shkak të mungesës së një qëndrimi unik të BE-së ndaj zhvillimeve në Kosovë. Tërë kjo për shkak se shtete anëtare të BE-së kurrë nuk kanë arritur që të kenë një politikë unike në raport me Kosovën, e as me çështjet e integrimit evropian. Për këtë arsye, BE-ja kurrë nuk ka arritur që të ketë një diplomaci të suksesshme as në Bosnjë e as në Kosovë. Kjo ka bërë që edhe misioni i parë i BE-së jashtë vendeve anëtare, i formatit siç është EULEX, të dështojë në misionin e përshkruar në letër. Edhe dështimi i misionit të EULEX-it, në të vërtetë ka ardhur për shkak të qëndrimeve jounike të anëtarëve të BE-së, përkatësisht për shkak të faktit se shtete të ndryshme të BE-së, po e përdorin këtë mision për realizimin e interesave të tyre gjeo-politike e gjeo-strategjike dhe në përputhje me aleancat e hershme rajonale dhe më gjerë. Një debat publik lidhur me këto çështje, përtej qëndrimit mazohist të politikës dhe të medias shqiptare, do të duhej të guxonte të hidhte dritë të plotë edhe për pozitën reale të shqiptarëve, por edhe të serbëve në kontekste rajonale dhe më gjerë...