Raportet e korruptuara të progresit që dalin nga Brukseli
Vetë zyrtarët e Qeverisë së Serbisë e kanë pranuar se janë në koordinim me grupet që kanë bërë bllokadë në një pjesë të territorit të Kosovës që është e supozuar të administrohet nga BE-ja dhe Kombet e Bashkuara. Në disa raste zyrtarët e Qeverisë serbe kanë kërcënuar me vazhdim të bllokimit të rrugëve, duke konfirmuar se kanë lidhje dhe udhëheqin strukturat që në korrik për të dytën herë dogjën pikën doganore në Jarinjë. Serbët në Kosovë dhe Serbia janë duke penguar pjesëtarët e misionit të BE-së për mbisundimin e ligjit, kurse gjyqtarët e prokurorët e BE-së dhe të ShBA-së nuk i lejon të vendosen në Gjykatën e veriut. Serbia ka sabotuar marrëveshjet në lidhje me Kosovën të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së. Duke i pasur këto parasysh, Serbia me vullnet po futet në situatën që potencialisht është në një konflikt të armatosur me një shtet fqinj. Kosova në anën tjetër është bërë thjesht një pranuese pasive e politikave dhe porosive të BE-së me dëshirën e kësaj të fundit. Për hir të lehtësimit të marrëdhënieve të BE-së me Serbinë, Kosova pranon cenimin e integritetit, sovranitetit, ekonomisë, identitetit politik, e statusit të saj. Shqipëria po ashtu ka qenë skajshmërisht kooperative dhe e dëgjueshme ndaj BE-së. Nuk ka probleme me asnjë fqinj. Është jashtëzakonisht e kujdesshme me Kosovën. Prandaj, duke pasur parasysh këto, Serbia i plotëson kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për BE, Shqipëria jo, kurse Kosova meriton llafe të mira. A ka ngelur ndonjë pikë kuptimi në kriteret e Komisionit Evropian më? Tashmë është e qartë që Komisioni Evropian në Kosovë është duke vepruar jo vetëm me njëanshmëri, por edhe në konflikte interesi dhe me hile. Negociatat politike për veriun janë përkrahur disa herë nga zyrtarë të BE-së dhe kjo bën që Komisioni Evropian të shfrytëzojë mekanizmat e vet për këtë qëllim. BE-ja është duke përdorur mjetet që i ka në dispozicion për ta ndikuar Kosovën në negociatat me Serbinë dhe përgjithësisht në qasjen e saj ndaj veriut. Kjo e bën atë që të ketë observime joobjektive, të njëanshme dhe me qëllime përtej thjesht një konstatimi të progresit të vendit. Pozicioni që BE-ja ka në Kosovë, sidomos me negociatat dhe me EULEX-in, e bën atë që të jetë palë këtu dhe shkatërron funksionin e disa mekanizmave që ka përdorur në raport me vendet në aksesion. Negociatat për liberalizimin e vizave janë duke “koinciduar” me shtimin e presionit për negociata politike për veriun. BE-ja e di mirë se ka qenë gati e pamundur për momentin e dhënë të arrijë një opinion publik të përshtatshëm për fillimin e negociatave që do të çojnë drejt një bosnjëzimi të Kosovës. BE-ja po ashtu e di mirë, sepse ka investuar shumë për këtë, që mediat kosovare janë thjesht të etura për t’iu hedhur një element për t’u fokusuar, siç është ky me liberalizimin e vizave, në mënyrë që ta përgatisin opinionin për negociatat politike. Mendoj se para negociatave për liberalizimin e vizave, BE-ja ka pasur një borxh tjetër ndaj Kosovës. Çfarë vlere ka liberalizimi i vizave për kosovarët, kur një pjesë e territorit të shtetit të tyre ngelet e bllokuar dhe pa asnjë lloj mbisundimi të ligjit? A mund të liberalizohen vizat në një situatë të këtillë? A mundet që një vend si Kosova me një mungesë të elementeve themelore të shtetësisë (sovraniteti e integriteti) të nënshkruajë marrëveshje me BE-në, e cila futet në marrëdhënie vetëm me shtete të pavarura që kanë një kontroll efektiv në tërë territorin dhe një mbisundim të ligjit po ashtu. Liberalizimi i vizave varet nga pranimi individual i shteteve anëtare të BE-së, gjë që ashiqare Kosova nuk e ka. Prandaj, si shumë llafe të tjera të mira, edhe liberalizimi i vizave me këtë qasje të BE-së dhe politikës kosovare, do të jetë një proces që do varet nga Serbia më shumë sesa nga BE-ja apo Kosova. Prandaj edhe liberalizimi i vizave në kushtet kur nuk është zgjidhur problemi i veriut është thjesht edhe një llaf i mirë nga shumë të tjera që BE-ja ia ka dhënë Kosovës. Nuk do të ketë ndonjë efekt praktik për aq kohë sa Kosova nuk pranon kompromis për veriun. Me qasjen e saj të njëanshme në kontestin mes Serbisë e Kosovës, BE-ja është duke çrregulluar marrëdhënien e saj me rajonin, kurse është thjesht dhe vetëm duke i korruptuar raportet e progresit, të cilat dikur kishin një peshë të jashtëzakonshme në reforma e ndërtim institucional.
Autori është bashkëthemelues i organizatës ÇOHU!