I ftohti "mbërthen" vendin, priten reshje dëbore edhe në Tiranë

Tirana dhe pothuajse i gjithë vendi do të zbardhet sot nga dëbora. Kryeqyteti, por dhe i gjithë vendi do të mbulohet nga bardhësia e borës sot pasdite. Meterologët parashikojnë reshje dëbore në të gjithë territorin por kjo do të jetë "perdja e bardhë" që për herë të parë do të mbuloj kryeqytetin këtë dimër. Por dëbora në Tiranë nuk do të zgjasë sepse meterologët parashikojnë një mot të paqëndrueshme për këtë javë.
Zhiva e termometrit nuk do t`i kaloj 12 gradë celcius. Ndërsa temeraturat më të ulta do të shkojnë deri në minus 7 gradë celcius. Kjo rënie e ndjeshme e temperaturave do të zgjasë deri në fundjavë.
Sipas metereologëve reshjet e dëborës do të jenë më të ndjeshme në zonat veriore dhe juglindore të Shqipërisë. Përgjatë javës mëngjeset do të jenë të ftohta, ndërsa mesdita do të shoqërohet me rritje të lehtë të temperaturave. Metereologët theksojnë se 7 ditëshi i parë i muajit shkurt do të jetë kryesisht me mot të paqëndrueshëm dhe të ftohtë.
Ndërkohë mësohet se probleme nga reshjet e dëborës janë shënuar në qarkun e Vlorës. Sipas informacioneve Qafa e Llogarasë është bërë e pakalueshme për automjetet ndërkohë që punonjësit e ndërrmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve po hedhin kripë dhe skorje në rrugë. Në një njoftim të saj, policia e Vlorës u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të lëvizin vetëm me zinxhir pasi qarkullimi në këtë aks rrugor ndryshe bëhet i pakalueshëm.
Gjithashtu probleme nga reshjet e dëborës ka pasur edhe në Malësinë e Madhe. Sipas informacioneve ka pasur vështirësi në aksin Selcë-Vermosh, Koplik-Bogë dhe Bogë-Theth ku qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë. Vështirësi nga dëbora ka pasur gjithashtu edhe në rrethin e Pukës ku akset rrugore Fierzë-Qafë Mali, Qafë Mali-Qafë Shllak janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.