I gjithë kombi, i bashkuar, për të përballuar tragjedinë
Një ngjarja e rëndë tronditi dje gjithë vendin, ku si pasojë e një shpërthimit të një depoje municioni në fshatin Gërdec të zonës së Vorës në Tiranë, mbetën të vdekur 4 persona dhe shumë të tjerë afro 215 të plagosur, banorë të zonës përreth dhe madje të afro 60 ekspertëve ushtarakë shqiptarë dhe të huaj, mendohet të kenë mbetur të vdekur në vendin e ngjarjes. Shtetasit e përmendur, janë specialistëve të cilët po punonin në depo për të çmontuar municionet. Dyshohet se ka qenë pikërisht një gabim i specialistëve të kompanisë amerikanë të kontraktuar nga NATO, që kishte marrë në administrim procesin e çmontimit të predhave dhe municioneve të tjera që gjendeshin në depo, që edhe ka shkaktuar shpërthimet e njëpasnjëshme të municioneve. Midis shumë të plagosurve konfirmohet se ka edhe fëmijë. Kryeministri Berisha duke e cilësuar këtë ngjarje si tepër të rëndë, u shpreh se qeveria është e angazhuar maksimalisht për të dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme për lehtësimin e situatës dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje. “Informacion të saktë për në vendngjarja ende nuk kemi por të dhënat paraprake janë jashtëzakonisht të rënda. Forca të ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Brendshme dhe të gjithë strukturat e qeverisë ndodhen në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të nxjerrë viktimat. Në depo, punonjësit e kompanisë së kontraktuar kanë qenë në proces të çmontimit të municioneve”, tha Kryeministri. Sipas kryeministrit, në vendngjarje dyshohet se ka një numër të konsiderueshëm viktimash. Kreu i qeverisë vuri në dukje se kryeqyteti nuk është i rrezikuar nga këto shpërthime, megjithëse predhat u riaktivizuan në shpërthim e sipër, disa orë më vonë nga shpërthimi i parë. Nëse ka patur oficerë në depo, Kryeministri tha se “mund të ketë patur oficerë të kontraktuar nga kompania pasi ky proces ka qenë tërësisht aktivitet privat i kësaj kompanie”. Kryeministri Berisha u shpreh se problemi i municioneve është një nga problemet më të rënda për vendin dhe që përbën një rrezik shumë serioz. “Problemi i municioneve në Shqipëri është një problemet më të rënda që kemi. Ka një sasi kolosale municionesh, që nga viti 1945 e më pas. Një nga mënyrat për asgjësimin e tyre është çmontim por në çmontim, siç e dini dhe ju, ky është aksidenti i dytë shumë i rëndë që ka ndodhur. Në çmontim unë nuk mohoj gabimet njerëzore por vetë vjetrimi i të gjithë mekanizmit të tyre i bën këto municionet të shpërthyeshëm. Ky është një problem shumë serioz dhe për fatin e keq depot janë të shpërndara në mbarë vendin. Ne po diskutojmë edhe me ekspertë të huaj në mënyrë që të mund t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj sasie kolosale të municionit, e cila përbën një rrezik serioz”, u shpreh Kryeministri Berisha. Lideri i qeverisë, konfirmoi se qeveria që ai drejton është po ndjek me vëmendje madhore të gjithë ngjarjen dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi, e përmasave të mëdha.
Rama: Do të punojmë bashkarisht për ngjarjen e rëndë/Kryetari i PS Edi Rama u shpreh dje se ngjarja ka marrë përmasat e një tragjedie. Kryetari i PS-së, Rama dhe nje grup deputetësh ishin dje në vendngjarje dhe në Spitalin Ushtarak, ku vizituan të lënduarit nga tragjedia. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe një grup deputetësh të PSSH janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes, pasi mësuan për lajmin tronditës të shpërthimit të një depoje armatimi në afërsi të Vorës. Po ashtu Kryetari i PSSH, Rama bashkë me grupin e deputetëve, Idrizi, Brace, Isaraj, Harasani e Klosi më pas ia janë drejtuar Spitalit Ushtarak në Tiranë për të parë nga afër gjendjen e të lënduarve. Prononcimi i Kryetarit të PSSH, Rama një ore pas ngjarjes në Spitalin Ushtarak, pas insistimit të medias prezente në këtë spital tha se “është një ngjarje shumë e rëndë dhe le të lutemi të gjithë, që të mos marri përmasat e një tragjedie, pasi ende nuk dimë çfarë ndodh me njerëzit që janë në zemër të ngjarjes, aty ku janë edhe shpërthimet që ende vazhdojnë dhe më tutje pastaj të shikojmë, se cilat janë masat që duhen marrë dhe të punojmë bashkarisht për të realizuar më të mirën”. “Është një gjendje, ju jeni vetë në ndjekje të saj, çdo sekondë e shikoni që ka konfuzion, ka pasiguri dhe mbi të gjitha askush nuk mund të parashohë, se ç’ndodh ende tani që flasim në zemër të ngjarjes”, u shpreh Rama.