E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi antikombëtar - Pas Durrës-Kukës, kartat e identitetit objekt sulmi i së majtës

Procesi i realizimit të kartave të identitetit, vazhdon të mbetet referenca shfryrëse e krizës së të majtës shqiptare prej disa kohësh. Të ndodhur në një konflikt të hapur dhe totalisht indiferent me zhvillimet pozitive në vend, e majta shqiptare në përgjithësi po tregon shenja lodhjeje rraskapitëse, duke mos qenë në gjendje ti shërbejë vendit në dobi të aspiratave integruese në NATO shumë shpejt, apo në BE, pas një periudhe të caktuar kohore. Gjithsesi realizimi i kartave të identitetit mbetet një standard i rëndësishëm, ç’ka do të thotë se plotësimi i tij përbën një përparësi madhore drejt implementimit të detyrimeve ndërkombëtare, të cilat edhe përcaktojnë ecurinë ritmike progresiste të vendit. Në këtë drejtim, të njëjtën logjikë brutale ka ndjekur Partia Socialiste prej disa ditësh me radhë, ku pasi u mënjanua nga rruga Durrës-Kukës, i është kacavjerrë procesit të kartave të identitetit. Këto transformime progresiste që po zhvillohen në vend, duket se nuk shihen me sy të mirë nga opozitarët, të cilët edhe pse dje ishin për plot 8 vite në qeveri, nuk qenë në gjendje si pasojë e katapultimit të korrupsionit galopant dhe masiv që nga qeveria qendrore e deri te njësitë vendore, të realizojnë kartat e identitetit apo të hedhin hapin e parë drejt ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Për fat të keq, sulmeve të socialistëve drejt procesit të kartave të identitetit i është bashkangjitur dje edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në pretendime e sipër për korrupsion në procedurat e tenderimit të kartave të identitetit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i kërkoi qeverisë që të reagojë menjëherë për të riparuar pasojat për këtë çështje me rëndësi të madhe kombëtare. Sipas tij, qeveria ka injoruar qëllimisht rëndësinë e jashtëzakonshme që ka prodhimi i kartave te identitetit dhe menaxhimi i bazës së të dhënave biometrike të popullsisë për sigurinë kombëtare, për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, për integrimin e tyre në Evropë e më gjerë. “Ky tender është organizuar në këto limite kohore, për të pasur pamundësinë për ta shtyrë atë më tej dhe për të riparuar parregullsitë, pasi ndryshe do të vihej në pikëpyetje prodhimi i tyre për zgjedhjet e ardhshme në 2009 –n”, tha ai. Ndërkaq, gjatë seancës plenare, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, hodhi poshtë të gjitha pretendimet e pabaza të socialistëve për mungesë transparence në tenderimin e kartave të identitetit. Ai deklaroi se projekti i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet e reja elektronike është një proces që po kryhet në transparencë të plotë dhe nën monitorimin e ekspertëve të huaj ndërkombëtarë. Por, këto nuk mjaftojnë për të bindur opozitarët, të cilët të përçarë prej disa kohësh, enden nëpër vagullsitë dhe mungesën e kohezionit ideor dhe konceptual rreth zhvillimeve politike në vend e për të përmbushur këtë krizë të thellë, fshihen pas petkut të deklaratave mediatike, megjithëse krejt të pabaza dhe aspak bindëse për opinionin publik e më gjerë. Qeveria shqiptare e ka konsideruar prodhimin e letërnjoftimeve të reja elektronike, si një arritje madhore për qytetarët shqiptarë, duke ndikuar në mënyrë të veçantë edhe në imazhin e Shqipërisë, në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, PS dhe partitë e tjera të opozitës ndjejnë nevojën e paaftësisë për ta monitoruar në mënyrë bindëse këtë proces, i cili vazhdon të jetë në vlerësimin e ofertave, dhe përpiqen që me anë të prononcimeve nga podiumet e selive të pështjellojë ç’do projekt që shënon një hap përpara drejt realizmit të synimeve të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›