Intervista/Mediu: Përfitimet ekonomike të Shqipërisë, pas marrjes së ftesës për anëtarësim
Z. Mediu, çfarë ka bërë klasa politike ndër vite për realizimin e kësaj aspirate?
Unë mendoj që klasa politike, bazuar edhe në mbështetjen e gjerë të të gjithë shoqërisë shqiptare, e cila ka si qëllim kryesor integrimin e vendit tonë në NATO, me koshiencë të plotë, po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme që vendi ynë të integrohet në këtë familje të madhe. Mund të them këtu se qeveria shqiptare ka vënë interesat kombëtare mbi interesat partiake për të përmbushur dhe realizuar të gjitha detyrimet dhe standardet që kërkon NATO. Si ministër i Mbrojtjes dëshiroj të theksoj se jam jashtëzakonisht i kënaqur që ekziston mbështetja politike për Forcat e Armatosura dhe janë bërë u bërë të gjitha përpjekjet për të plotësuar ato reforma që kërkohen në këtë drejtim. Megjithatë reformat janë të vazhdueshme dhe ne nuk mund të themi asnjëherë që kemi mbaruar. Duhet të vazhdojmë akoma më tej me ato që ka kërkuar NATO, në mënyrë që të jemi realisht afër qytetarëve tanë dhe pastaj në radhë të dytë partnerë të denjë për NATO-n.
Duke u ndalur këtu z. Mediu, mos ndoshta me këtë doni të thoni se këtu ka vend për kritika? Nëse do ta quanim kështu, sa progres ka bërë vendi ynë në përmbushjen e kërkesave të bëra nga NATO apo BE-ja?
Unë nuk do t’i quaja kritika, por do të thosha se janë kërkesat e bëra nga ndërkombëtarët që Shqipëria të plotësojë disa standarde që janë të nevojshme, pasi është normale që NATO dhe BE-ja kanë standardet e tyre. Ajo që unë mund të them është se Shqipëria ka qenë shumë serioze në përmbushjen e këtyre kërkesave, të paktën flas në këtë qeverisje, të cilat janë vlerësuar nga NATO në mënyrë të vazhdueshme dhe kam bindjen se si rezultat i përmbushjes së këtyre detyrimeve, Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit nga NATO.
Ndër pikat e kërkuara nga NATO për të marrë ftesën në samit, është edhe realizimi i dy reformave madhore, asaj në drejtësi dhe në sistemin zgjedhor. Sa progres mendoni se ka patur në këto çështje nga ana e politikës shqiptare, duke patur parasysh këtu edhe faktin që prej realizimit të tyre varet edhe fati i anëtarësimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike?
Unë mendoj që progresi është i dukshëm. Reformat kanë të bëjnë me kuptimin e përbashkët politik dhe një marrëdhënie të detyrueshme politike të të dy krahëve. Mendoj se këto reforma dhe ky proces e ka maturuar edhe klasën politike shqiptare për të qenë vlerësuese në atë çka është në interes kombëtar dhe natyrisht edhe në diferencat e veta vihet në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Madje as debatet e vazhdueshme nga forcat politike mbi reformën zgjedhore, nuk e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet ditët e para të muajit Prill. Debati që po zhvillohet aktualisht ndërmjet forcave politike në vend është i shëndoshë, pavarësisht nga konjukturat dhe interesat e momentit. Është më mirë të ketë debat, sesa të ketë veprime, të cilat do të cënonin edhe debatin, edhe marrëdhëniet politike.
Çfarë sinjalesh keni marrë nga faktori ndërkombëtar përsa i përket premisave për marrjen e ftesës së anëtarësimit Mediu?
Mendoj që është një situatë shumë pozitive, optimiste dhe çdo sinjal i marrë deri më tani, tregon qartë se ka një vlerësim premtues për zhvillimet në Shqipëri, vlerësime të cilat flasin hapur se së shpejti ne do ta marrim këtë ftesë si rezultat i punës sonë, por edhe i mbështetjes së të gjithë aktorëve dhe faktorëve që janë pjesë e NATO-s. Nga takimet, diskutimet dhe kontaktet e deritanishme me homologë dhe përfaqësues të vendeve anëtare në NATO, si SHBA, Franca, Italia, Gjermania, Rumania, Turqia, madje edhe nga Greqia, janë marrë të gjitha sinjalet pozitive se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit, dhe ky është lajmi më i mirë dhe më domethënës për të gjithë shqiptarët.
Z. Ministër, të gjithë flasim për një ‘ftesë në NATO’, por jo të gjithë e njohim atë. A mund të na flisni pak më gjerë lidhur me këtë ftesë?
Kur flasim për një ftesë, është momenti i një vendimi formal nga ana e NATO-s, për të ftuar Shqipërinë që të fillojë një proces tjetër, që është procesi i anëtarësimit në NATO dhe ky proces njeh disa faza të zhvillimit të vetë. Në këto faza përcaktohen qartë kushtet dhe detyrimet për të arritur pastaj në marrjen e një vendimi përfundimtar për anëtarësim, dhe kjo është një periudhë rreth dy vjeçare. Ajo ka të bëjë me përgatitjen e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, analizën e të gjitha standardeve dhe treguesve, detyrimet financiare që ne kemi për të qenë pjesë e kësaj strukture, realizimi i detyrimeve për të përcjellë në strukturat e NATO-s stafe të përgatitura jo vetëm ushtarake, por edhe civile, pra një kompleks kërkesash të cilat ne duhet t’i përballojmë me seriozitetin më të madh. Mendoj që pas Samitit, puna jonë është më intensive dhe përgjegjësia edhe më e madhe.
Në çfarë aspektesh e thoni këtë z. Ministër, mund të na shpjegoni më konkretisht?
Në të gjitha aspektet. Në drejtim të plotësimit të detyrimeve që kemi dhe të realizimit të atyre sfidave që na presin përpara, duke filluar nga ato kërkesa që ka NATO, për të marrë përsipër përgjegjësitë tashmë si një vend i cili do të bëhet anëtar i saj dhe jo vetëm të mbetet në kuadër të dëshirës.
Le të ndalemi pak edhe në çështjen e Maqedonisë dhe problemit të saj me Greqinë përsa i takon emrit. Duke qenë se Maqedonia, ashtu sikurse edhe Shqipëria, janë pjesëmarrëse të Kartës së A3-it, a do të ndikojë debati i saj me Greqinë në marrjen e ftesës së anëtarësimit të vendit tonë?
Unë nuk mendoj aspak se problemi që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit do të ndikojë në marrjen e ftesës së Shqipërisë në NATO. Riga e ka përcaktuar qartë, edhe takimi i Ministrave të Jashtëm që u zhvillua në Bruksel para një jave, kanë vendosur që çdo vend do të vlerësohet mbi performancat e tij individuale. Edhe në vlerësimin që është bërë në Bruksel vendet nuk janë thirrur treshe, por janë thirrur veçmas, me qëllim për të parë sesi kanë ecur zhvillimet e tyre, dhe raporti që përgatitet bëhet për çdo vend, dhe në këtë aspekt vlerësimet kanë qenë mjaft pozitive për Shqipërinë. Dëshira e shqiptarëve do të ishte që ftesën e anëtarësimit në NATO ta merrnin të tre vendet e Kartës Adriatik 3, pasi ky do të ishte mesazhi më pozitiv për të gjithë rajonin, për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimet në Serbi, për vetë të ardhmen e rajonit dhe të Ballkanit. Karta Adriatik 3, nuk ishte një kërkesë e bërë nga NATO, por një iniciativë e vendeve respektive për të bashkëpunuar dhe për të realizuar më të mirën për vendet e tyre, por kjo nuk do të thotë se vlerësimi do të bëhet mbi bazat e A 3-it. Ato do të bëhen në kuadër të performancës individuale të çdo shteti për realizimin e detyrimeve dhe reformave që ka vendosur NATO”.