LSI shton dozat e luftës civile – akuzon Edvinin se po manipulon zgjedhjet e 2009-s
Ilir Meta ka rreshtuar dje në një dalje publike të gjitha ato që ai i quan arsye që po e shtyjnë Edi Ramën që të bjerë në “kurthet e Berishës” dhe që po krijojnë mundësi që të realizohet “manipulimi i zgjedhjeve të 2009-s”. Kreu i LSI-së arsyeton se Rama duke qenë pjesë e bashkëpunimit me Berishën po bie në kurthet e tij dhe po i krijon mundësi që të realizojë manipulimin e zgjedhjeve të 2009-s. “LSI prej kohësh ka paralajmëruar lidershipin e PS-së se nëpërmjet bashkëpunimit të saj me Sali Berishën, në emër të gjoja hapësirave për reformat, po bie pre e dredhive që kanë karakterizuar Berishën dhe politikën e vjetër, duke i krijuar mundësi atij për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve të 2009-s”, tha Meta. Duke e mbyllur rrugën e një revizionimi të kursit politik, Ilir Meta tha se s’do t’i bashkohej kurrë rrugës së Edi Ramës, e normalisht as bashkëpunimit me Sali Berishën. “LSI nuk do të bjerë asnjëherë viktimë e lojërave politike të Sali Berishës, që në funksion të realizimit të qëllimeve të veta ka shpërdoruar në mënyrë të paskrupullt, bashkëpunimin si me lidershipin e përparshëm, ashtu edhe atë aktual të Partisë Socialiste”, - tha Meta.