I grabitet arma truprojës së Ina Ramës

Arme e grabitur, foto arkiv
Truprojes personale së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, i është grabitur shtëpia, ku midis sendeve të tjera i është vjedhur edhe arma e shërbimit.
Truproja personale e Ina Ramës, M.R, është e vetmja femër në grupin shoqërues të kreut të Prokurorisë shqiptare.
Mësohet se ajo ka denoncuar në komisariatin e policisë nr 4 në kryeqytet, grabitjen e shtëpisë së saj dy ditë më parë. Sipas denoncimit të punonjëses së Gardës së Republikës, ajo ka gjetur shtëpinë, në zonën e Alliasit, të grabitur, nga e cila ishin marrë shumë sende dhe bashkë me to, edhe arma e shërbimit.
Burimet policore nuk bëjnë të ditur se çfarë konkretisht është grabitur nga shtëpia dhe nëse qëllimi i grabitësve kishte qenë arma apo sendet e tjera me vlerë. Këto pritet të sqarohen nga hetimet e ditëve në vazhdim. /E.L/