E Shtunë, 31 Tetor 2026

I harlisuri, i bollshmi, i tepruari Folkner!



“Zhurmë dhe tërbim”, me të gjithë peshën e dhimbjes, korrjen e dëshpërimit që e rëndon, është një roman i madh, i ri në strukturë dhe thurje, por antik në fismërinë e rrafshit moral, i tillë sa mund ta vësh denjësisht në radhën e shembujve madhorë të shekullit të romanit, të asaj Tetëqindte, që na ka dhënë Dostojevskin dhe Melvilin, Balzakun dhe Hothornin. Që prej titullit, Folkneri na bën me dije për atë që do të na prekë. Në fakt titulli është diçka e stërditur, por do të jetë mirë të ripohohet, vjen nga Makbethi i Shekspirit, ku jeta do të përkufizohet si: “... rrëfim i thënë nga një idiot, plot zhurmë dhe tërbim, që nuk do të thotë kurrgjë”. Ja pra, rrënjët ideologjike të zhurmës dhe tërbimit të Uilliam Folknerit.

Në 1929-ën, vitin e krizës së madhe ekonomike, e dendësuar kudo nga pak, por më kërcënueshëm në Shtetet e Bashkuara, pas luftës ’14-’18 të kthyer në protagonistë të skenës botërore, dalin në Nju Jork dy romane, që i imponohen menjëherë panoramës, veç kësaj mjaft të pasur, të letërsisë botërore të kohës. Janë “Lamtumirë armë” e Ernest Heminguejit dhe “Zhurma dhe tërbimi” e Uilliam Folknerit. Dy shkrimtarët, të ardhur nga ajo luftë që bashkëlidhi me gjak Amerikën me Evropën, janë pak a shumë moshatarë, rreth të tridhjetave; por ndërkohë që i pari vonon të shijojë aperitivët në terrasses e rrjedhës së majtë pariziane tok me inteligjencien shumëkombëshe, që ia vlen dhe nën krahun mbrojtës, tutela pak ironike, e vullnetares së mërguar amerikane Gertrud Shtajn, tjetri kthehet në jugun e vendlindjes për të vërtetuar mësimin e modernëve, sidomos atë të Xhejms Xhojsit, mbi realitetin e atdheut të vogël fisnik dhe të degraduar, nga i cili nuk do të shkëputet më kurrë, as fizikisht, as shpirtërisht. Nga ana tjetër nuk është për t’u besuar se, për t’u cilësuar që në romanin e tij të parë, Fiesta, ashtu edhe tek Lamtumirë armë, të vendosur mes Parisit, Spanjës dhe Italisë, poet i të ç’atdhesuarve, pasardhës të pavetëdijshëm dhe të ndryshëm sa s’thuhet, personazhet e Henri Xhejmsit, Heminguej edhe pse më pak amerikan se Folkneri, analistit të ngulitur të kontesë së Joknapataufës, në Misisipi.

Të dy shkrimtarët, me Frensis Skot Ficxheraldin, kampionë të prozës amerikane në vitet njëzet dhe tridhjetë, i kanë njohur mirë eksperimentet e letërsisë së re. Heminguej - më tepër kristalorin Paund të poezive të shkurtra imazhiniste, Folkneri – magmatikun Xhojs të Uliksit. Megjithatë, për fatin e tyre, e përsëris, mbetën që të dy amerikanë të pandreqshëm.

Nëse do t’i marrim të mirëqena, dhe do bënim mirë, parimet e poetikës vetjake dhe panoramën e letërsisë klasike amerikane dukshëm të hedhura poshtë me shkujdesje, po me shumë mprehtësi kritike nga Heminguej te Kodrat e gjelbra të Afrikës, vetë ai duhet futur në linjën të themi realiste të Mark Tueinit me Hakëlberr Fin-in, Folkneri në atë simboliste të Hothornit dhe Melvilit. Sprovat e parme në vargje të njërit dhe të tjetrit, të papranuara si nga njëri, ashtu dhe nga tjetri, në këtë kuptim rezultojnë jashtëzakonisht domethënëse: ato të të parit të qarta deri në thatësi, ato të të dytit të kulluara gjer në retorikë. Folkneri dhe Heminguej drejtpeshimin do ta arrijnë në romanet e pjekurisë së hershme pa mohuar, përkundrazi, duke e pasuruar dhe i ndrequr hullinë limfës origjinale të fazave fillestare të harruara, të zhvendosura.

I provuar tashmë në dy romane, Paga e ushtarit dhe Sartoris , i pari mbi fundin mëshirëndjellës të një të kthyeri nga “lufta e madhe”, i dyti mbi rënien e një familjeje aristokrate të Jugut nën trysninë e pandalshme të Veriut përparimtar, industrial dhe tregtar; romane plot cilësi, por jo krejt të shestuar, Folkneri gjen një drejtpeshim të vetin të përsosur, sigurisht të vështirë, në një farë kuptimi të mrekullueshëm, të poemës simfonike në katër kohë që është Zhurma dhe tërbimi.

Përdora një metaforë pak të rrëshqitshme, të paqëlluar, vieux jeux, po s’e kisha të lehtë të gjeja një më të qëlluar, për një roman që sigurisht roman është, por sa më i ndërlikuar, madje zemërak, sa më pak i modeluar sipas skemave të rrëfimtarisë tradicionale, i gjithi i hapur ndaj rikthimeve dhe braktisjeve, arrative dhe rifillimeve, humnerimeve dhe çkredhjeve, që janë pikërisht të ndoca kompozimeve muzikore me shtrirje të gjerë.

Në këtë çast më vjen ta pyes lexuesin tim të mundshëm: a) nëse, me të kaluar vëllimin e librit, më është drejtuar mua duke pretenduar një shenjëri thelbësore për të përshkuar pyllin e egër, të ashpër dhe të fortë, që është Zhurma dhe tërbimi; b) në qoftë se ai mbërrin te faqet e mia, siç e ka renditja tipografike e librit, duke lexuar të tërë librin: jam shumë i sigurt që do të ketë pamjen e lodhur, por shumë të kënaqur, të atij që ka shpënë në fund me fitore një ndërmarrje të vështirë, por të denjë për çdo sakrificë; c) në qoftë se, i treti, ndërmjetësi im jo i pagjasë, i mbërritur në një farë pike të leximit, nuk është shkëputur nga Folkneri dhe është sjellë kah unë në kërkim, siç thuhet, të këshillave dhe ndoshta, të ndihmës.

Në rastin e parë do të përgjigjem, se kam guxim, se do të sillem si në dëgjimin e një poeme simfonike të mbushur me Zhurmë, Tingulli dhe tërbim, duke e lënë veten nën magjepsjen e frikshme të sound: koha e katërt do të risjellë temat e tre të parave, s’them të paqtuara, por të ngatërruara në përsosmëri nga autori në një dramë të dhimbshme, njerëzore, gjer dhe tepër njerëzore, kuptueshmërie gjithësore. Nuk do të shërbejnë, pra, sinjale, shigjeta, shpjegime, që nuk do të bënin tjetër, veç se do të hutonin në dëgjim.

Në rastin e dytë kam veç pak fjalë për të thënë, duke përgëzuar veten, se dita që, lexuesin gjakftohtë, duke fituar mbi padurimet e kuptueshme, ta bëj të përzihet në strukturën në dukje të rrëmujshme, por po aq të pasur të librit, të ngatërruar, të degëzuar, gjethatake (gjetheshumë) si bimët e Jugut. Vetëtitëse, të plagosur, të sfilitur, por ende të aftë të prodhojë limfë, të japë jetë.

Në të tretin rast, përveç të diturës dhe ndoshta, pak të sigurtës ftesë për ngulmim, mund të jap këshillën e llogaritjes, ta zëmë, që në familjen Kompson, nga e cila Folkneri regjistron “mjerimin” (“shkëlqimet” e humbura dhe të pakthyeshme), emra etërish dhe bijsh, ungjijsh dhe nipash, vëllezërish dhe motrash, gjithnjë të njëjtët nga brezi në brez, mund t’i shërbejnë shkrimtarit për të ngritur gracka të fshehta, por të duhura, në qëllimin e shkrimtarit për të na futur sa më thellë në realitetin e përgjakshëm të familjes. S’është veçse një shembull. Kësisoj “koha”, që tek Kalderon de la Barka, ndoshta ju kujtohet, është “ëndërr”, në zhvillimet dhe rizhvillimet e tij të vazhdueshme, të ikurit dhe të kthyerit, të fundosurit dhe të ringjiturit, është bash poetika folkneriane, “ankth”.

Nga ana tjetër, dhe kjo mund t’i dalë më e qartë lexuesit të gjuhës dhe të kulturës anglosaksone, që prej titullit Folkneri na bën me dije për atë që do të na prekë. Në fakt titulli është diçka e stërditur, por do të jetë mirë të ripohohet, vjen nga Makbethi i Shekspirit ku jeta do të përkufizohet si : “...rrëfim i thënë nga një idiot, plot zhurmë dhe tërbim, që nuk do të thotë kurrgjë”. Ja pra, rrënjët ideologjike të zhurmës dhe tërbimit të Uilliam Folknerit.

Por ka edhe më. Pjesa e parë e librit, e titulluar “Shtatë prill 1928” është monologu i njërit nga anëtarët e familjes Kompson, Benxhi ose Benxhamin ( siç e quan e do, që edhe të tjerët ta quajnë e shumëçmuara e përjetshme dhe e mbijetuara në gjithçka - nëna) që është tamam idiot, tridhjetë e tre vjeç dhe i zoti vetëm të ulërasë, të angullijë, të nuhasë, të qajë. Benxhi është frut i humbur dhe i pafajshëm i familjes historia e së cilës është ajo e Zhurmës dhe tërbimit; do të thosha që është më pak i prekuri, pikërisht për pafajninë e tij, nga e keqja prej së cilës vuan familja, pa shpresë shpëtimi. Ndoshta, në një kuptim, shpëton motra Kadi (e vetmja që, me shërbëtoren zezake Dilsi, e do me dhembshuri idiotin e shkretë) në masën ku humbet, duke ia mbathur nga shtëpia dhe duke u bërë kështu, siç thuhej dikur, një grua e humbur.

Gjithsesi, më duket se kuptova që Folkneri, veç të gjithash, nuk arriti në rrafshimin gjithësor të “nuk do të thotë asgjë-së” shekspiriane. Përmes pietas të zezakes plakë Dilsi, ndërmjetëse e sigurt pas dëgjimit të liturgjisë së Pashkës të kumtit të krishterë, Folkneri, në humnerën me të cilin patrembshëm na njohu, nuk na propozon edhe një shpresë sado të dobët drite?

Sa i përket kësaj, duhet të kujtojmë se në diskutimin e mbajtur shumë vite më vonë, me rastin e dhënies së çmimit Nobel, tashmë gati i shkatërruar nga alkooli, por gjithnjë i zbutur në figurën e fisnikut të Jugut të humbur pa fituar, Folkneri përmbyllte se: “shkrimtari duhet të ketë besim në fatin e njerëzimit”?

Ja përse Zhurmës dhe tërbimi, me të gjithë peshën e dhimbjes, korrjen e dëshpërimit që e rëndon, është një roman i madh, i ri në strukturë dhe thurje, por antik në fismërinë e rrafshit moral, i tillë sa mund ta vësh denjësisht në radhën e shembujve madhorë të shekullit të romanit, të asaj Tetëqindte, që na ka dhënë Dostojevskin dhe Melvilin, Balzakun dhe Hothornin.

“Aty ku binte hija e urës ajo mund ta ngulte vështrimin shumë poshtë, por jo gjer në fund. Kur lëshon një gjethe për një kohë të gjatë, pas pak kohe mbështjellja bie dhe mbeten fibrat e brishta, të cilat valëzojnë me po atë ngadalësi lëvizjesh që kanë në gjumë. Nuk takohen, edhe pse më parë formonin një lëmsh ... Dhe mbase kur ai të thotë Çohuni edhe sytë do të enjten, nga qetësia dhe tingulli i honit për të soditur lavdinë e tij.

“Nuk e shihja tabanin, por mund të hidhja shikimin shumë poshtë në lëvizjen e ujit, para se syri të lodhej, dhe aherë pashë një hije të ngrirë si një shigjetë e madhe që shkonte kundër rrymës. Planktonet hynin dhe dilnin nga hija e urës duke cekur syprinën. Sikur përtej të qe së paku një ferr: flaka e pastër ne të dy të vdekur. Atëherë ti do të më kesh veç mua atëherë veç mua atëherë ne të dy mes mërisë dhe tmerrit përveç flakës së pastër...Shtjellën që zbehej e mori rryma tutje dhe atëherë pashë prapë shigjetën, të ndalur një pëllëmbë nga sipërfaqja, duke u dridhur sapo nga lëvizja e ujit mbi të cilën planktonet qëndronin duke u rrotulluar.

Ti dhe unë vetëm atëherë mes mërisë dhe tmerrit në një qerthull flake të pastër...”

Është monologu i Kuentinit, vëllait të Benxhit, Xhezonit dhe Kadit: do të vrasë veten, në një urë e Masaçusetsit, ku e kanë dërguar për të studiuar, dhe do të vetëvritet se është dashuruar me motrën Kadi, që ka ndjeshmërinë e lindur rebele të adoleshentëve të Jugut, por prej tij dhe vullnetin për të mbijetuar: duke u arratisur, duke humbur, ndoshta kësisoj duke shpëtuar.

Një kritik amerikan, Klifton Fadiman, e ka përcaktuar “ i harlisuri, i bollshmi, i tepruari” stil i Folknerit “gongorizëm”, si me thënë barok i Jugut. A s’ishte më e thjeshtë të thuhej, që kjo e Folknerit është e natyrshmja, e duhura poezi e të harlisurit, të bollshmit, të tepruarit Jug?

Përgatiti: Enton Bido

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›