E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushi që na mungon kaq shumë



Nga Edi Zaja

Ky fund maji është i lodhshëm për mua, duke marrë rrugën drejt Turqisë së ftohtë, të trishtueshme, boshe, të dhimbshme, sepse aty ka një vit që Bestar Cerica, miku, vëllai im i shtrenjtë, nuk jeton më.

Në aeroportin turk nuk do dal të më pres krahëhapur, i buzëqeshur, plot mall shqiptari për të pyetur si është Berati im? Po Shqipëria? Çfarë ka ndryshuar? Po i mban premtimet PD-ja? Po miqtë, shokët? Tirana si është në futboll? I dua përgjigjet nga ty vëllai im, sepse në televizion i shikoi dhe vazhdonte me një frymë. Por këtë radhë ai nuk vjen dot fizikisht, ai ka një vit që është ndarë nga jeta duke lënë sa e sa kujtime të panumërta.

Bestari, apo thjesht Bushi im, inxhinieri i palodhur nuk më pret sot në aeroport, por aty kanë ardhur Teuta, Reshati, Elvira dhe Mirela dhe marrim rrugën drejt varrezave me lule të freskëta, buqetat që ai aq shumë i donte.

Boshllëku dhe mungesa e tij na i bën edhe më të heshtur udhëtimin, por Teuta më thotë: - Edi, Bushit nuk do t’i pëlqente kjo heshtje! Nuk më thua fëmijët si i ke? Nusen ta shoh po Shqipëria ç’thotë? Ndonjë lajm për beratin? Doktori si i ka punët? Dhe biseda shkon përsëri tek Bushi, tek malli i madh për Shqipërinë, kujtuam fushatën e parë të 1992, pastaj folëm se a do jetë përsëri fitorja si atëherë? Kujtonim se si ai, inxhinieri, mik i gjithë Beratit, e më tej vraponte si fëmijë për të shpjeguar demokracinë, duke kërkuar përkrahjen e Partisë Demokratike, se si Bestari i urtë neglizhonte me fëmijët e tij, Reshatin, Mirelën e Elvirën për demokracinë.

Kështu filluam të kujtonim se me sa ankth Bushi aty në Turqinë e largët ndiqte fushata dhe sa herë pinim ndonjë gotë këndonte me zë të shtruar këngët beratase apo edhe me hitet e Kovit (Kozma Dushit), bënim ndonjë shaka alla Ceke dhe ai nuk linte mik pa kujtuar, deri në imtësi.

Kështu me këto kujtime e sollëm afër Bestar Cericën, mikun tonë dhe vajzat Mirela dhe Elvira ankoheshin se u mungonte shumë, ai ishte me ato “më i mirë se mami”, na i plotësonte të gjitha.

I ftohtë në shpirt Stambolli këtë fund javë, por ai bëhet edhe më i rëndë sapo hymë në dhomën e biznesmenit beratas, ku palëvizur janë ca flamurë dhe postera të PD-së, CD-të me këngë shqiptare, një album i madh, fotografia e Presidentit Bamir Topi, një pikturë e madhe e Beratit, ca foto me miq të Komitetit Ekzekutiv, thjesht dhoma ishte një copëz Shqipëri.

Bushi për shumë vite jetoi në Stamboll, por atje ai, falë edhe biznesit të suksesshëm ishte një portë e hapur për shqiptarë, shumë e hapur. Jo vetëm për miqtë e tij, por për këdo arnaut, siç i pëlqente atij të na ngacmonte.

U ndjeva keq se nuk i tregoja dot që qeveria demokratike i ka mbajtur premtimet, t’i tregoja se jemi në NATO, se së shpejti do lëvizim pa viza, se kemi ujë e drita se janë rritur rrogat, se PD i ka mbajtur premtimet dhe Shqipëria falë saj ka ndryshuar totalisht.

Padyshim që do flisnim edhe për “Tiranën” e Refik Halilit dhe Shefikat Ngjelës, Agustin Kolës dhe Devi Mukës, Alban Tafajit dhe Fatmir Frashërit, Skënder Halilit dhe Ali Memës, Arben Mingës dhe Bedri Omurit, Niko Xhaçkës dhe Fortuzit etj. E di që do më ngacmoje edhe për ndeshjen e sotme me shkodranë, por Tirana do fitoj, sepse e meriton dhe ti do filloje të më ngacmoje me ndonjë kopjo raki për të më bërë të flisja më gjatë.

Eh, mor Bushi, Bushi shikoj fëmijët e tu janë bërë më të rritur, më të urtë, më seriozë, por dhimbjen e fshehin dhe të gjithë Teuta, Reshati, Elvira, Mirela nusja ime, të kemi pranë miku im dhe ne pimë edhe me ty, ngacmojmë ato tema që doje ti dhe na duket se të kemi pranë.

Edhe se temperatura i ka kaluar të 30-at nuk e di sepse ndihem akull, ndoshta fakti se kaloi viti që fizikisht nuk të kemi pranë vëllai e miku im më i mirë, e di që do na mungosh shumë, por ti ecën me ne, flet me ne, punon me ne, këndon me ne, gëzon me ne, ndjek futbollin me ne, vjen në fushatë me ne kudo, je me ne i urtë, fjalëpak, plot humor, i dashur, krenar për fëmijët e tu, beratasi ynë i paharruar Bestar Cerica.

Stamboll, më 22.05.2009

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›