E Diel, 1 Nëntor 2026

Neo Albanicus, një roman që portretizon figurën e femrës

E vetmja shqiptare që ka arritur të fitojë çmimin Mendjet e Mëdha të Shekullit të XXI-të akorduar nga Instituti Biografik Amerikan dhe që aktualisht prezanton Shqipërinë si Ambasadore e Forumit Botëror 2009, studiuesja dhe shkrimtarja, Dr. Evis Qaja,
Promovoi dje në Ditën Ndërkombëtare të Kulturës, veprën e saj të tetë, romanin Neo Albanicus. Romani Neo Albanicus i ndërthurur në tre kohë, jep mesazhin se kultura shqiptare nuk mund të jetojë "e mbyllur", por duhet konceptuar si një politikë e hapur dhe kozmopolite. Kultura është fusha ku njerëz të kombeve të ndryshme mund të dialogojnë dhe shkëmbejnë eksperiencat e tyre, sepse vetë kultura duhet kuptuar si fytyra e shpirtit të një kombi, ajo çka reflekton filozofinë e një populli dhe aspiratat e tij. Duke e parë politikën kulturore si mënyrë që evidenton principet demokratike dhe faktin se kultura si bazë duhet të ketë një filozofi humaniste, Qaja përmes rreshtave përcjell parimin se akset e politikës kulturore janë ato që lidhen me identitetin kulturor. Libri me refleksione të thella psikologjike ku shfaqen problemet e gruas u prezantua në mjediset e ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, institucion ku Evis Qaja punon që prej një viti si Drejtore e Shërbimeve të Brendshme në Inspektoratin Shtetëror të Punës. E rikthyer në Shqipëri duke iu përgjigjur nismës së qeverisë Brain Gain, Qaja veç kontributit në mësimdhënien akademike dhe punës në dikaster, është dhe autore librash. Në romanin e saj të fundit ajo përcjell rëndësinë e politikës kulturore shqiptare, që nuk mund të kuptohet jashtë proceseve integruese evropiane, ku përfshihet dhe Evropa Juglindore. Sfida që Qaja i ka bërë vetes me personazhin e romanit është portretizimi i femrës në shumë aspekte të rëndësishme. Produktin intelektual dhe gjenetik të të tjerëve, dhe nga ana tjetër individualitetin, këtë synon Qaja të endë në biografinë e një femre brenda mjedisit gjithë njerëzor. Personazhi i Neo Albanicus është frymori i zhveshur nga grada, ofiqi, prosperiteti, reputacioni, lidhjet, që ka të bëjë me komercializimin e mendjes, mediatizimin e vizionit dhe trurit dhe në përgjithësi, robërimin e tij ndaj kulturës së sipërfaqshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›