E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i i Vlorës, në fillim të qershorit do kryhet ndezja e parë



TEC-i i Vlorës, investimi më i madh publik në fushën e energjisë në vend, do t'i nënshtrohet provave të para për komisionimin e tij në fillim të muajit qershor. Nëndrejtori i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, ka deklaruar dje për median se "brenda datës 10 qershor do të kryhet ndezja e TEC-it dhe do të kontrollohen të gjitha pajisjet e tij, për t'u vënë në punë plotësisht shumë shpejt". Punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës nisën më 1 shtator 2007, duke përfshirë nënstacionin e ri të Babicës dhe disa objekte të tjera, si linjën për daljen e tensionit të lartë 220 KV në nënstacionin e Fierit, linjën e tensionit të lartë 220 KV me dy qarqe Fier-Babicë, fuqizimin e nënstacionit të Babicës me dy auto-transformatorë 100 MVA, 220/110/35 KV secili, linjat 110/ 35 KV me rajonin, nënstacioni Vlora 2 110/20 KV me dy transformatorë, me fuqi prej 35 MVA secili. Për ndërtimin e TEC-it të Vlorës është financuar shuma prej rreth 92 milionë euro nga Banka Botërore dhe BERZH. Pjesa më e madhe e punimeve kanë përfunduar plotësisht. Sasia e energjisë që do t'i shtohet rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes me vënien në punë të TEC-it të ri të Vlorës llogaritet në 98 MW. TEC-i i Vlorës përbën investimin më të madh publik si vepër energjetike, pasi prej 27 vitesh nuk është ndërtuar asnjë objekt i ri prodhues në këtë drejtim. Ai është ndërtuar pranë Triportit, Komuna Qendër, afërsisht 6 km në veri-lindje të portit të Vlorës në një shesh me sipërfaqe prej 14 ha, miratuar në KRRTRSH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›