Prishtina nuk do të çojë pluhur në Kuvendin e FFK-së

Në këtë kuvend do të marrin pjesë edhe delegatët e ‘opozitares’ së fuqishme të FFK-së, ata të FC Prishtinës: Ahmet Kurtolli e Sokol Krasniqi.
Në fakt, afati për nominimin e kandidatëve për postin e kreut të futbollit në vend pati përfunduar qysh më moti, por kjo nuk u interesonte bardhekaltërve, të cilët patën paralajmëruar se gjatë mbajtjes së kuvendit do ta qesin në ‘front’ me Vokrrin një kandidat të tyre për pozitën e kreut të shtëpisë së futbollit kosovar.
Megjithatë, prishtinasit kanë ndryshuar mendjen. Ata thonë se nuk do të dalin me asnjë kandidat, me çka nënkuptohet se kuvendi do të ketë rrjedhë të qetë. Madje, kryeqytetasit thonë se nuk do të jenë as të zhurmshëm.
“Jo, nuk do të dalim me asnjë kundërkandidat. Klubin tonë do ta përfaqësojnë delegatët tanë Ahmet Kurtolli e Sokol Krasniqi. Ata do t’i japin sugjerimet, propozimet, vërejtjet e tyre, nëse kjo do të jetë e nevojshme, me qëllim që kuvendi të ketë rrjedhë normale”, ka deklaruar për Express nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi. Lidhjet rajonale unanimisht e kanë propozuar Vokrrin edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.