I inspiruar nga rrugët
Me njohuritë e tij klasike dëshiron të bëjë diçka moderne. Dhe vërtet, me anë të lëvizjeve abstrakte, ka arritur të nxjerr një shfaqje të baletit modern. Pas suksesit të arritur me shfaqjen “Oh My God”, koreografi i njohur holandez, Arthur Kuggeleyn, përreth një muaj ka punuar me trupën e Baletit të Kosovës për krijimin e premierës së re “Friendly Fire” (Zjarri Miqësor).
Balerinët tanë, për herë të tretë dhe të fundit për këtë sezon, me anë të lëvizjeve do të paraqesin kujtimet e thella të njerëzve, të rritur në një vend me telashe. Kuggeleyn mundohet që të prezantojë ‘Zjarrin Miqësor’, gjegjësisht gjuajtjen e paqëllimshme në ushtarët tuaj.
Stili i Kuggeleyn mbetet po ai që është parë edhe në “Oh My God”, ndonëse, sipas tij, me lëvizjet e thjeshta të balerinëve tani dëshiron të sjellë diçka të madhe.
Përderisa shfaqja e kaluar ishte pothuajse e gatshme, kësaj radhe koreografi punoi shumë më intensivisht.
“Kemi punuar një muaj. Ka qenë një muaj intensiv pune, për të bërë një shfaqje origjinale. Njëkohësisht, edhe për ta plasuar atë në skenë në mënyrën më të mirë të mundur, qoftë me lëvizje apo me gjithçka tjetër”, theksoi Kuggeleyn gjatë konferencës që paralajmëronte premierën.
Kuggeleyn tha se përveç me punën e balerinëve u inspirua edhe me kreativitetin e tyre. Sipas tij, tërë ndodh në këtë shfaqje i ngjante balerinëve të Evropës perëndimore.
“Secili nga balerinët është përgjegjës me lëvizjet që i përdorë, ashtu që para publikut të shfaqet në mënyrën më të mirë”, theksoi ai.
Puna e koreografit holandez, por edhe ajo që ai mundohet të paraqes në skenë, është moderne. Edhe pse, duhet thënë se lëvizjet e baletit klasik janë konsumuar aq shumë, andaj balerinët me njohuri klasike ato tani duhet t’i përdorin për diçka moderne.
Kuggeleyn thotë se nuk e njehë mirë historinë e trupës kosovare, se nuk e di se çfarë ka punuar ajo më herët, megjithëse mendon që audienca do ta dallojë më së miri se çfarë të reje do të sjellë ai në skenën e baletit me premierën e re, por edhe me stilin e tij.
“Do të jem shumë i interesuar për opinionin e juaj pas shfaqjes. Por, ndoshta veçanta që e kam sjellë këtu është ajo që mbase askush para meje nuk ka bërë një shfaqje të këtij stili”, nënvizoi ai.
Sa për emrin e shfaqjes, “Friendly Fire”, dhe për idenë e saj, Kuggeleyn pohon të jetë inspiruar nga rrugët e Prishtinës, ku ka parë shumë uniforma.
Mbetet që koreografi holandez të marrë përgjigjen edhe nga publiku, i cili do të ketë rastin që të enjten të ndjek nga afër premierën e “Friendly Fire”, me fillim nga ora 20.
Ndrysh, gjatë konferencës, drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, i njoftoi artdashësit se me këtë premierë do të përmbyllet sezoni, derisa është shprehur se premierën e tretë e quajtur sukses, krahasuar me kushtet në cilat punohet.
Shfaqjen e ka ndihmuar Ambasada e Holandës në Prishtinë, ndërkohë që me lojën e tyre në të do të paraqiten balerinët Behie Murtezi, Drilon Podrimcaku, Fisnik Smani, Jeta Musolli, Katie McGuffey, Kreshnik Musolli, Labinot Rexhepi, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Liridon Mziu, Marigona Haxha, Muhamet Bikliqi, Sinan Kajtazi, Sead Vuniqi, Teuta Krasniqi, Vjollca Llugiqi, Vlora Prizreni, Abetare Hyseni, Aulona Nuhiu, Mimoza Bytyqi, Nora Gashi dhe Vlora Ahmeti.