E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirel: Pavarësisht kohës së shkurtër, Kosova ka arritur progres

Duke pasur parasysh periudhën e shkurtër të punës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, për shkak të zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë bërë përparime të dukshme, në veçanti në miratimin e ligjeve. Këtë e ka shprehur edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pierre Mirel, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Pas takimit, Mirel ka mbajtur një konferencë për media, bashkë me ministren Çitaku, me ç’rast ka theksuar se thënë se te Qeveria e Kosovës, ka parë një zotim të fuqishëm për agjendën e integrimeve evropiane.

“Në raportin tonë kësaj radhe kemi treguar se për periudhën e mbuluar prej 12 muajve ka pasur përparim të kufizuar. Por, gjithashtu kemi treguar edhe pse ka pasur progres të kufizuar, sepse periudha kur ka punuar Kuvendi dhe Qeveria ka qenë mjaft e shkurtër, për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe gjithashtu edhe zgjedhjeve presidenciale dhe nëse e shohim periudhën e vërtetë ku ka mundur të ketë reforma dhe ndryshime dhe Kuvendi t’i miratojë ato reforma dhe ndryshime, mendoj se gjatë kësaj periudhe përparim i mirë është arritur, sepse është miratuar legjislacioni i rëndësishëm që ne e kemi kërkuar, siç është Ligji për prokurimin, Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligji për punën e të tjerë, dhe këto janë zhvillime të rëndësishme”, është shprehur Mirel.

Ai ka theksuar se është vërejtur progres shumë i mirë, sidomos në çështjen e riatdhesimit të njerëzve në Kosovë dhe kjo ka bërë që Komisioni Evropian të marrë vendimin për nisjen e dialogut për vizat në fund të këtij viti.

Mirel ka thënë se kjo ka qenë një pyetje e shpeshtë që është ngritur nga institucionet e Kosovës tek Komisioni Evropian dhe tani është kënaqësi që më në fund ky dialog do të fillojë.

Veç tjerash, sipas tij, në Raportin e Progresit është vërtetuar angazhimi konstruktiv i Kosovës në dialogun me Serbinë, dhe për këtë Komisioni ka sugjeruar konkluzat që të hartohet një plan gjithëpërfshirës për veriun e Kosovës.

Një çështje e rëndësishme të cilës Komisioni Evropian i kushton rëndësi, sipas Mirel, është sektori i drejtësisë, i cili është plotësuar me ligje dhe me aspekte të tjera, por tani kërkohet që edhe qytetarët të bëjnë presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët që të kryejnë punën e tyre.

“Një çështje të rëndësishme që dëshiroj ta nënvizoj është sektori i gjyqësisë. Kemi bërë komente kritike me kohën dhe tani konsiderojmë se pas miratimit të ligjeve kryesor që lidhen me sistemin gjyqësor, pas themelimit të Këshillit Gjyqësor, pastaj Këshillit Prokurorial dhe pastaj emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe gjithashtu ngritjen e rrogave të tyre, atëherë qytetarët duhet të kërkojnë që gjyqësori të punojë më mirë, të zgjidh rastet me shpejt dhe me transparencë. Ky është një element i rëndësishëm për qytetarët dhe për agjendën e BE-së gjithashtu, pasi sundimi i ligjit i ligjit paraqet një nga bazat politike dhe për ta pasqyruar dhe monitoruar së bashku implementimin e këtij sektori ne kemi sugjeruar zhvillimin e një dialogu strukturor për t’i dhënë një rëndësi më të madhe grupit që e kemi në nëndialog për sundimin e ligjit”, ka thënë ai.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka theksuar se Raporti i Progresit është instrument kyç për institucionet e Kosovës, është udhërrëfyes për reformat të cilat duhet t’i ndërmarrë shoqëria dhe institucionet e Kosovës, në mënyrë që vendi ynë të bëhet së shpejti anëtare e familjes së madhe evropiane.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Kosova ka shumë sfida para vetes, por ne e siguruam zotin Mirel se ka vendosmëri dhe përkushtim politik, sikurse ka edhe konsensus politik për të adresuar një nga një sfidat që janë identifikuar në Raportin e Progresit. Ne, po ashtu, i konfirmuam zotit Mirel që agjenda evropiane do të shndërrohet në agjendë integrale në punët e përditshme të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka shtuar se agjenda evropiane ka dominuar agjendën politike dhe qeveritare vetëm pak muaj para publikimit të raportit të progresit, por kjo qasje do të ndryshojë, në mënyrë që të fillojë një punë më intensive për adresimin e sfidave të raportit të progresit në mënyrë që raporti i ardhshëm i Progresit të identifikojë më shumë progres.

Ndryshe, një prioritet për vitin e ardhshëm, sipas Raportit të Progresit është reforma në administratën publike, për të cilën është miratuar strategjia, kurse tani pritet të zbatohet, pastaj Ligji për çështjet elektronike që duhet të punohet, është grupi punues, zhvillimi i ekonomisë dhe krijimi i një balance tregtare, pasi që sipas Mirelit, aktualisht ka disbalancë, ndërkaq një vëmendje e veçantë, sipas tij, duhet t’i kushtohet sektorit të bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit, si rrugë e mirë për të reduktuar deficitin tregtar dhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›