E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanovic do të bisedojë me Cooper për pikat 1 dhe 31

Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviq, ka thënë se gjatë ditës së nesërme do të bisedojë me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Robert Kuper, për vendkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

“Kuper dhe unë do të bisedojmë nesër nëpërmjet video-linkut. Pres që me këtë rast të definohen edhe disa gjëra të tjera”, ka thënë Stefanoviq për mediat serbe.

Duke komentuar aksionin e së enjtes të KFOR-it dhe EULEX-it për mbylljen e rrugëve dytësore që janë hapur në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje, Stefanoviq ka thënë se “mbyllja e tyre, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit”.

“Këto rrugë, ua mundësojnë njerëzve në veri një jetë normale, në rrethanat e sotme. Prej tyre varet furnizimi normal i popullatës, shumë qytetarë duhet të vijnë të punojnë në Rashkë nëpërmjet këtyre rrugëve”, ka thënë Stefanoviq.

Prishtina zyrtare ka mohuar kategorikisht mbajtjen e bisedimeve për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, në të cilat muajin e kaluar janë vendosur policët dhe doganierët e Kosovës. Këto dy pika që një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe në këto dy pika është zhvilluar krimi i organizuar dhe kontrabanda.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë të martën e kaluar pas takimit me ndërmjetësin evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, se është pajtuar që të vazhdojë dialogu teknik për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e jetës së qytetarëve, por assesi të mos përfshihen çështjet politike në këtë dialog.

Megjithatë, sa i përket datës së fillimit të raundit të ri të dialogut, ajo ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje me Kuperin, ngase atij i mbetet edhe më tej të punojë në diplomacinë fluturuese mes palëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›